Hoxha: PDK-ja do t’i udhëheq të gjitha proceset e rëndësishme në vend
Kandidatja për deputete nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eliza Hoxha ka thënë se me qeverisjen e kësaj partie do ta rimëkëmbet vendi pas krizës së shkaktuar nga pandemia.
Madje sipas saj, PDK-ja do t’i udhëheq të gjitha proceset e rëndësishme për vendin, duke shtuar se të gjithë ata dëshirojnë t’i bashkohen procesit të rimëkëmbjes e kanë derën hapur.
“Ne e kemi një program që është program fantastik në të gjitha dimensionet nëpër çka ka kaluar Kosova e sidomos në çka ka kaluar viteve të fundit. Unë besoj që kushdo që dëshiron t’i bashkëngjitet procesit tonë të rimëkëmbjes, në vizionin tonë për rimëkëmbje të përgjithshme të Kosovës e ka derën e hapur, por sigurisht PDK-ja, do të jetë udhëheqëse e krejt këtyre proceseve duke qenë se ne jemi ideator dhe themeltar të shtetit të Kosovës”, tha thënë Eliza Hoxha në një intervistë për Ekonomia Online,
Ndërkaq, sa i përket mungesës së ish liderit të PDK-së, Kadri Veselit, ajo thekson se ka qenë një lëkundje, megjithatë, Hoxha, thekson se Veseli i ka lënë të bashkuar dhe të fuqizuar.
“Normalisht kjo ka qenë një shkundje, lëkundje dhe një thyerje edhe për neve sepse na mungon energjia, ideja e tij, ideja e lidershpit, por ata kanë lënë me modelin e tyre me mënyrën se si e kanë menduar partinë dhe procesin brenda saj dhe normal jashtë saj kanë lënë lider të shumtë. Na kanë lënë mirë me shumë njerëz me bagazh njerëzor me profile të ndryshme nga ai kombëtar e deri tek profilet më të reja që i gjejmë në tregun e punës dhe unë mendoj që ky është motivi jonë kryesor që sot ne të vazhdojmë me shumë vullnet me shumë zell e dashamirësi në forma të ndryshme aty ku kemi mundësi me i quar proceset përpara me fuqizuar njëri tjetrin, me fuqizuar partinë dhe më fuqizuar shtetin e Kosovës”, ka shtuar ajo.
Hoxha jep arsyet dhe për arsyet që qytetarët duhet ta votojnë atë në zgjedhjet e 14 shkurtit.
“Ndër vite kam dëshmuar qoftë në rolin e qytetarit, qoftë në rolin e artistit, të profesorit, ku do që kam vepruar i kam shfrytëzuar ato platforma dhe ato mundësi që ti adresojë ato që lidhen me të mirën publike. Kuvendi është pikërisht vendi ku çështjet publike dhe e mira publike adresohet në thelb ku nisen ligjet, rregullativat kryesore ku e organizojnë, menaxhojnë dhe e drejtojnë interesin e përgjithshëm të popullit të Kosovës”, ka nënvizuar kandidatja për deputete nga PDK.























