Sfarqa: Rezultat jo i pritshëm për LDK-në
Anëtari i kryesisë së LDK-së, Muharrem Sfarça ka thënë se rezultati i zgjedhjeve të sotme për partinë e tij është një rezultat jo i pritshëm.
Në një lidhje direkte për RTK-në, Sfarça ka thënë se rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk është vlerësim real i punës së LDK-së në qeverisje.
“Është një rezultat jo shumë i pritshëm dhe jo i dëshirueshëm dhe as rezultat i punës, e as vlerësim real i punës së mirë të qeverisjes së LDK-së. Mendoj se fati i shtetit ka qenë i lidhur me LDK-në dhe besoj se kësaj radhe ka ndodhur diçka që nuk do të duhej të ndodhte”, ka theksuar Sfarça.
Lidhur me faktin se LDK në qytetin e Ferizajt ka një rënie drastike, ish-kryetari i kësaj komune është shprehur: “Po kjo ka ndodhur sepse VV nuk ka qenë asnjëherë në qeverisje lokale dhe në përgjithësi është krijuar një klimë artificiale si në gjithë Kosovën dhe Ferizaj nuk bën përjashtim, andaj ne duhet të respektojmë rezultatet dhe duhet të shohim rinkonsilidimin dhe rikthimin e LDK-së aty ku e duan qytetarët”, ka shtuar Sfarça.
Ai ka thënë se i mbetet kryesisë së partisë për të analizuar këto rezultate, teksa nuk ka dashur të komentojë nëse kryetari Isa Mustafa dhe disa prej krerëve të kësaj partie ta marrin përsipër përgjegjësinë dhe të tërhiqen nga pozitat e tyre.























