1700 vjet jetë hebreje në Gjermani

1700 vjet jetë hebreje në Gjermani

Gjermania feston këtë vit me ceremoni dhe aktivitete të ndryshme larminë e jetës hebreje vë vend.

Ishte viti 321 kur Perandori romak Konstandin mori një kërkesë nga këshilli i qytetit të Këlnit, që asokohe mbante emrin Colonia Claudia Ara Agrippinensium dhe ishte kryeqyteti i provincës së Gjermanisë së Ulët,

Fjala ishte për riparimin e një ure të rrënuar për të cilit Këlnit i mungonin paratë. Një hebre me emrin Isaac donte të ndihmonte, por për këtë ai duhej të bëhej anëtar i këshillit të qytetit, dhe prandaj banorët e Këlnit i shkruan Perandorit Konstandin.

Perandori e miratoi kërkesën dhe atë moment ndoshta nuk e dinte, se çfarë dokumenti të vlefshëm historik krijoi me këtë dekret. Sepse ai është burimi më i hershëm i jetës hebreje në Europë në veri të Alpeve.

Aty thuhet: "Përmes ligjit të vlefshëm në të gjithë perandorinë u lejojmë të gjithë këshillave të qytetit, që hebrenjtë të pranohen në këshill." Ky dekret, që iu kthye Këlnit, provon kështu qartë që hebrenjtë jetonin atë kohë në Këln.

Dëshmia e parë e jetës hebreje në veri të Alpeve

Qysh në vitet 1950, arkeologët zbuluan thesaret e para të komunitetit hebre nën sheshin e bashkisë së Këlnit. Në atë kohë ata hasën në mbetjet e një sinagoge nga shekulli i 11-të dhe të një mikvahuni, banjoje për ritualet e grave. Por kur sheshi i bashkisë u shndërrua në parking gjatë rindërtimit të Këlnit të shkatërruar pas luftës, gjetjet u zhdukën përsëri nën tokë për dekada.

Vetëm në vitin 2007 arkeologët nisën përsëri gërmimet. Dhe bënë një zbulim shekullor: lagjen mesjetare hebraike të Këlnit. Po nëse disa nga rrugicat, muret, bodrumet dhe shkallët ekzistonin që në vitin 321 ende nuk dihet.

Deri në vitin 2024 në vendin e gërmimeve arkeologjike do të ndërtohet një muze. Po ashtu Këlni ka bërë kërkesë për t'u përfshirë në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Por gjetje të jetës hebreje nga fillimi i Mesjetës janë zbuluar edhe në qytete të tjera. Në Augsburg, arkeologët hasën në një llambë vaji të shekujve 4. 5., mbi të është stamposur një menora, një shandan hebre. Hebrenj kishte edhe në Trier, siç dëshmohet nga një dekret i Perandorit Valentinian I (364-375), i cili ndalonte strehimin e ushtarëve në sinagoga.

Vit aksioni kundër racizmit dhe antisemitizmit

Viti 2021 që shënon 1700-vjetorin e dekretit të Perandorit Konstandin, është shpallur vit aksioni për bashkëjetesën e feve. Dekreti i Konstandinit i vitit 321 është burimi më i vjetër dhe për këtë arsye një provë e rëndësishme se ekzistonte "një bashkëjetesë e feve të ndryshme", thotë Andrei Kovacs, drejtori menaxhues i shoqatës "321-2021: 1700 vjet jetë hebreje në Gjermani" dhe bashkëorganizator i vitit përkujtimor.

Gjatë këtij viti do të organizohen ekspozita, takime, festivale këngësh e vallesh e plot aktivitete të tjera.

Përndjekja dhe diskriminimi i hebrejve do të jenë po ashtu pjesë e aktiviteteve, sidoqoftë, në vitin e përvjetorit, fokusi do të përqendrohet tek e bukura dhe bashkëjetesa e feve./DW