U promovua libri i Kaltrina Pacollit, “Unë, kufoma e ardhshme”

U promovua libri i Kaltrina Pacollit, “Unë, kufoma e ardhshme”

Në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, sonte, me fillim nga ora 18.00, u promovua libri “Unë, kufoma e ardhshme” i Kaltrina Pacolli. Me këtë libër kjo autore, sipas referuesve të poemës së saj, u quajt një libër që hap plagë, që s’lë të qetë të gjithë ata djem dhe burra që ngrehën dorë mbi vajza dhe gra, që edhe vranë nëna veç pse ishin gra, që në vend të denoncimit, të reagimit intelektual dhe fizik, ato kishin zgjedhur të heshtnin.

Autorja tha se nuk do të donte që asnjëra vajzë, grua, nënë, asnjë njeri ta gjente vetveten, as dikush tjetër, një shoqe, një nënë a një grua e dikujt brenda kësaj poeme dhe rreshtave të saj. “Nuk do t’i dëshiroja ato, por do të doja që ky libër të ishte kudo: në automjete urbane dhe rurale, në banesa dhe në shtëpi të çdo shqiptari, në çdo lokal dhe në çdo bibliotekë. Kudo ku ulet një burrë dhe kudo ku ulen një vajzë dhe një grua përkrah ose përballë një djali dhe një burri. E kam thënë dhe më parë, u detyrova ta shkruaj të njëjtën poemë pasi dëgjova rrëfime të ndryshme për jetën nga vajza dhe gra të keqtrajtuara nga burrat e tyre. Pasi pashë, dëgjova dhe shikova, në media dhe në libra, vuajtje të përjetimeve të tyre të vështira dhe të pazakonta. Të rënda saqë të rrëqethin mishin dhe ta trazojnë mendjen dhe zemrën. U detyrova ta shkruaj sepse nuk mund ta mbaja përbrenda vetes tmerrin që kisha dëgjuar nga rrëfimet për përjetimet e tyre.

Së këndejmi, u detyrova ta shkruaj sepse konsideroj se ua kisha për borxh ta bëja. Dhe ja që e bëra, iu bashkëngjita zërit dhe protestës edhe të atyre që sot hanë dhé, edhe të atyre që sot heshtin kur duhet të flasin”, ka thënë autorja, duke shprehur dëshirë që libri i saj të të bëhet dhe të mbetet homazh për viktimat e dhunës, për qindra dhe mijëra vajza dhe gra të rrahura, të keqtrajtuara, të vrara! “Le të bëhet dhe të mbetet ky libër i shkurtër, brejtje ndërgjegjeje për të gjithë ata djem dhe burra që ngrehin dorë mbi vajzat, të dashurat dhe mbi gratë e tyre! Le të bëhet dhe të mbetet ky libër i shkurtër, tekst përkujtimi për gratë e vrara nga burrat!”, ka shkruar ajo.