Rugova:Garda që fundosi LDK-në synon një kryetar që mund ta kontrollojë
Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Naser Rugova sërish ka drejtuar kritika ndaj kësaj partie.
Rugova thotë se kur kanë mbetur edhe tetë ditë deri në Kuvendin zgjedhor të LDK-së e ku do të zgjedhjet kryetari i kësaj partie, ende po vazhdon heshtja dhe terri.
Ai derisa tha se një marrëveshje në tavolinë nuk është reformë, shtoi edhe se garda kanceroze që fundosi LDK-në po synon një kryetar të cilin mund ta kontrollojnë.
“Edhe 8 ditë deri në Kuvendin zgjedhor dhe akoma vazhdon heshtja dhe terri. Një marrëveshje në tavolinë nuk është reformë, por është marrëveshje për ndarje pushteti, sistemim interesash të klaneve të ndryshme në stilin kush i pari, kush i dyti, ku jam unë dhe ku është ai tjetri. Garda kanceroze që e fundosi LDK-në po synon një kryetar formal, dikë që mund ta kontrollojnë, sepse nuk e kanë synim fuqizimin e LDK-së, por vetëm interesin e ngushtë të tyre. Si nuk kanë turp këta njerëz? A ngopen ndonjëherë?”, ka shkruar Rugova në “Facebook”.























