Wigemark: EULEX do të vazhdojë mbështetjen për Prokurorinë Speciale

Wigemark: EULEX do të vazhdojë mbështetjen për Prokurorinë Speciale

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, priti sot në një takim shefin e EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, të cilin e njoftoi me të arriturat, sfidat dhe objektivat e Prokurorisë Speciale.

Ai tha se që nga ardhja e tij në krye të këtij institucioni, përpos Departamentit për Krime Lufte që ka ekzistuar, ka themeluar edhe Departamentin për Krim të Organizuar dhe krime tjera në kompetencë të PSRK, Departamentin për Terrorizëm dhe Departamentin për Korrupsion dhe Krim Financiar, me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe efektivitetit në kryerjen e lëndëve nga prokurorët, si dhe ka caktuar prokurorët për secilin departament.

Ndërsa, shefi i EULEX-it Wigemark, vlerësoi punën e rëndësishme të Prokurorisë Speciale, përfshirë ri-organizimin e fundit të PSRK, duke thënë se Misioni që ai drejton brenda mandatit të tij do të vazhdojë të mbështesë prokurorinë në promovimin dhe fuqizimin e sundimit të ligjit.

Wigemark ka thënë se bashkëpunimi i përmirësuar midis Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës është thelbësor në hapat e mëtejshëm për të forcuar koordinimin midis zbatimit të ligjit dhe gjyqësorit në drejtim të shkëmbimit të informatave të cilat janë gjithmonë të mirëseardhur.

Të dy bashkëbiseduesit kanë shprehur gatishmërinë për të vazhduar edhe më tutje thellimin e bashkëpunimit në mes të dy institucioneve që ata drejtojnë, thuhet në njoftim.


MË SHUME NGA Aktuale