Letra e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit drejtuar partive politike
Letra e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kandidates për presidente, Vjosa Osmani, drejtuar liderëve të partive politike me qëllim që procesi i konstituimit të institucioneve të bëhet sa më shpejtë, nga njohës të çështjeve politike po konsiderohet si hap i mirë.
Por ata janë skeptikë se mund të ketë konstruktivitet, pasi vlerësojnë së Lëvizja Vetëvendosje është sjell në mënyrë arrogante duke kërcënuar se do të shkohet në zgjedhje nëse nuk sigurojnë votat e mjaftueshme për konstituimin e institucioneve.
Albert Krasniqi, analist politik, ka thënë për Radio Kosovën, se do të ishte mirë që partitë politike të jenë konstruktive.
“Është e vërtetë që Lëvizja Vetëvendosje nuk ka qenë konstruktive sa ka qenë në opozitë, po ashtu kërcënimi se ne do të shkaktojmë zgjedhje të parakohshme nëse nuk qëndroni në sallë, është një qasje përveç arrogante edhe oportuniste. Por mendoj që kjo nuk është mënyra e duhur për të bërë politikë dhe partitë politike duhet veprojnë në bazë të parimeve të tyre", tha Krasniqi.
Ndërkaq, njohësi tjetër i çështjeve politik, Fitim Salihu, po konsideron se nëse qëllimi i letrës është i pastër për bashkëpunim atëherë partitë duhet të shkojnë në takim.
“Varet nga përmbajtja e letrës, në rast se letra ka qenë e sinqertë dhe me qëllime të pastra të bashkëpunimit dhe të tejkalimit të krizës, atëherë patjetër që duhet të shkojnë, por nga ajo që munda të kuptoj, në rast se letra është arrogante si mësuesi për nxënësin, atëherë secila parti ka të drejtë ta ruajë dinjitetin e vet", tha Salihu.
Nga deklarimet e partive politike, ftesës së Vetëvendosjes duket se do t’i përgjigjen pozitivisht.
Kosovare Gashi, Radio Kosova.























