Kalojnë të gjitha kandidaturat për kryetar të LDK-së
Të gjitha kandidaturat për kryetar të LDK-së kanë kaluar me miratimin e delegatëve në Kuvendin Zgjedhor të kësaj partie, që po mbahet aktualisht.
Paraprakisht, sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Arban Abrashi, që është edhe kryepërgjegjësi për mbajtjen e rregullt të Kuvendit Zgjedhor, ka paralajmëruar se do të kalojnë në parim tëgjitha kandidaturat.
Deri tani, kandidatë për kryetar të LDK-së janë deklaruar Lutfi Haziri, Lumir Abdixhiku e Besian Mustafa.
Mbi 330 delegatë nga 38 degë të LDK-së nga të gjitha komunat do të mblidhen sot për ta dhënë votën e tyre. Siç parasheh statuti, vetëm brenda Kuvendit zyrtarisht do të dihet zyrtarisht kush janë kandidatët.
Në organin më të lartë të LDK-së, që e përbëjnë delegatë të zgjedhur nga kuvendet e degëve, plus kryetari i subjektit [Isa Mustafa], mund të kalojnë vetëm ato kandidatura që marrin fillimisht aprovimin e delegatëve.
Në mënyrë që të konfirmohet si kandidat për kryetar, secilit prej pretendentëve u duhet t’i marrin 50% plus një të votave të delegatëve.























