Rritja e infektimeve, mbyllen edhe dy shkolla tjera n`Prishtinë
301 mësimdhënës dhe nxënës raportohen të infektuar deri të hënën.
Tetë shkolla fillore dhe të mesme në kryeqytet kanë kaluar në mësim virtual si rezultat i rritjes së rasteve të të infektuarve me virusin COVID-19, ka bërë të ditur drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala.
Shala thotë se në dy shkolla tjera, në shkollën fillore të mesme të ulët “Xhemail Mustafa” dhe në atë të muzikës “Prenk Jakova” mësimi është duke u mbajtur në mënyrë të kombinuar, ku një cikël mban mësim online, ndërsa cikli tjetër vazhdon mësimin në shkolla.
Numri i mësimdhënësve dhe nxënësve të infektuar vetëm deri të hënën ka shkuar në 301, por Shala thotë se ky numër rritet çdo ditë, pasi rastet e infektimit me COVID-19 janë shtuar.
“Deri të hënën të raportuar i kemi 301 nxënës dhe mësimdhënës që janë nëpër shkolla por, dita ditës numrat vetëm janë duke u shtuar. Ne i marrim statistikat në baza javore, për shkak se mund të kemi të shëruar por edhe të infektuar në të njëjtën kohë”, thotë Shala.
Rritja e numrit të infektuarve me virusin COVID-19 nëpër shkolla, ka bërë që periudha e përgatitjes për mësim online të jetë e shkurtër, por drejtoresha e Arsimit në komunën e Prishtinës thotë se shkollat e mbyllura ia dolën që të përshtatin oraret e mësimit në mënyrë që nxënësit të mos humbasin mësimin.
Shkollat fillore dhe të mesme që janë mbyllur duke kaluar në mësimin online në komunën e Prishtinës janë: “Meto Bajraktari”, “Filip Shiroka”, “Gjin Gazulli”, “Naim Frashëri”, “Xhevdet Doda”, “Zenel Hajdini” dhe “Ismail Qemali”. Ndërsa, shkolla fillore e mesme e ulët “Xhemail Mustafa” dhe shkolla e muzikës “Prenk Jakova” janë duke vazhduar mësimin fizik vetëm me nga një cikël.























