Balaj: Presim arrestime tjera, ka kontrata të paligjshme me miliona euro
Kryesindikalisti i PTK-së thotë se ka shumë njerëz që e kanë dëmtuar Telekomin.
Katër persona janë arrestuar paraditen e së martës me dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare në Telekomin e Kosovës.
Pas arrestimeve, kryetari i Federatës Sindikale të PTK-së, Lamih Balaj, kërkoi nga Prokuroria e Shtetit që të mos ndalet së hetuari njerëzit që i kanë shkaktuar dëme Telekomit të Kosovës.
Balaj në konferencë për media tha se në Telekomin e Kosovës ka edhe kontrata tjera të dëmshme.
Zyrtarër e arrestuar sot janë: Armend Osaj, Kushtrim Musliu, Trim Musliu dhe Denis Ceman.
"Si sindikatë e përkrahim fuqishëm një aksion të tillë, sepse ka qenë momenti i fundit që Prokuroria e Shtetit të mos ndalet, duke i hetuar njerëzit që i kanë shkaktuar dëme Telekomit të Kosovës... I inkurajojmë që të mos ndalen sepse në Telekomin e Kosovës ka edhe kontrata tjera të dëmshme, falë të cilave jemi në këtë gjendje", u shpreh ai.
Balaj deklaroi se për arrestin e katër personave u informuan nga mediat.
"Jemi informu përmes mediave që sot kanë ndodhur disa arrestime jashtë Telekomit, nuk kanë ndodhur brenda në Telekomin e Kosovës. Çka kam mundur të shoh prej mediave, të arrestuar kanë qenë dy ish-zyrtarë të lartë të Telekomit të Kosovës, të cilët ka mbi 1 vit e gjysmë që nuk janë në marrëdhënie pune në Telekomin e Kosovës. Nëse janë emra të sigurt, njëri ka qenë drejtor i Financave, tjetri ka qenë drejtor në marketing, por edhe ushtrues detyre i Kryeshefit ekzekutiv. Për dy persona tjerë nuk kam njohuri, as nuk di çfarë të them", tha Balaj.























