Molliqaj: LDK do të mbahet përgjegjëse për pasojat e Vjosës presidente
BKT
Lajme

Molliqaj: LDK do të mbahet përgjegjëse për pasojat e Vjosës presidente

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka reaguar pasi që kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha sot se deputetët e LDK-së do të votojnë për Vjosa Osmanin president.

“LDK duhet ta dijë se do ta mbajmë përgjegjëse për pasojat që do të prodhojë ky koncentrim pushteti. Me shembuj nga historia i dimë bolshevikët, me shembuj nga aktualiteti po i shohim popullistët”, ka shkruar Molliqaj.

Postimi i plotë i Molliqajt:

Lumiri “krejt dhe drejt “

LDK paska vendosur, të gjithë në rresht për Vjosa Osmanin presidente. Kjo na qenka tradita e LDK-së – institucionalizmi. Epo, nuk është e vërtetë. LDK e mban veten si subjekt i ngjarjeve që prodhoi rrëzimi i monizmit. Thotë se është sinonim e simbol i pluralizmit demokratik. Nëse është kështu, veprimi i tyre për ta mundësuar presidentin “Krejt dhe Drejt” është vulosje e qeverisjes centraliste, ku të gjitha institucionet qojnë në një adresë, tek lideri suprem. Ky veprim po e instalon praktikën e byrosë politike të dikurshme, nën formën e demokracisë parlamentare.

Për më tepër, LDK duhet ta dijë se do ta mbajmë përgjegjëse për pasojat që do të prodhojë ky koncentrim pushteti. Me shembuj nga historia i dimë bolshevikët, me shembuj nga aktualiteti po i shohim popullistët. Askush s’mund të shfajësohet nesër për pasojat. Këtu jemi dhe po ju shohim. Ky është oportunizëm elektoral i llogaritur keq. Keq sepse ju prapëseprapë nuk po e ngritni një valë, qoftë edhe populliste. Thjesht jeni bërë konfirmues të tjetrit.

Veprimi juaj është strukje. Strukje sepse keni pranuar instancë gjykimi jashtë vullnetit tuaj. Është mizore kjo instancë, sa më shumë dëshmohesh, me fajtor do të ndjeheni.


MË SHUME NGA Lajme