Suksesi artistik kulturor i kosovarëve në botë
Shkruan: Ballsor Hoxha
Le t’i numërojmë disa nga kulmet e kulturës dhe artit botëror, në perspektivë globale, nga vetë Kosova: Dua Lipa, Rita Ora e shumë të tjera dhe të tjerë në muzikë. Pastaj filmat që shënuan sukses global vetëm dy vitet e fundit, “Shpia e Agës”, “Zana”, pastaj këtë vit filmat si “Në kërkim të Venerës” dhe filmi super kulminant “Zgjoi” etj. Të gjitha këto dalë nga një shoqëri tejet e vogël dhe rrënjësisht e dezorganizuar.
Mund të pyetemi pse? Mund të pyetemi si? Dhe mund të pyetemi çka i bën këta individë, dhe këto vepra artistike aq të suksesshme? Por ka vetëm një përgjigje, ka vetëm një shpjegim dhe vetëm një kuptim në tërë këtë: ne mundemi!
Por ç’është të mundësh në Kosovë, apo prej Kosove? Të qenit superstar, apo të qenit film i shpërblyer në mesin e kulminacioneve të kinematografisë globale dhe ndërmjet superstarëve, është njëjtë sikur situata e miliona sportistëve në botë, dhe mijëra sportistëve me potencial të lartë në Kosovë. Është talenti, është vullneti, është çdo gjë në dispozicion sa i përket individit, por mungon prej trajnerit, e deri tek stadiumet, për të qenë, për të mundur të praktikosh sportin (jo vetëm futbollin), për të mundur të arrish harmonizimin e vullnetit, talentit dhe të teknikës në perspektivë globale.
Prandaj duke iu kthyer pyetjes, - çka do të thotë të mundësh në Kosovë? – kjo do të thotë t’i bësh ballë tërë pamundësisë kosovare, tërë dezintengrimit të sistemit dhe tërë pafuqisë së sistemit qoftë prej infrastrukturës e deri tek ana materiale.
Aq më shumë, dhe në të vërtetë, problemi i të mundurit, apo kapërcimit dhe tejkalimit të këtyre kufijve të pamundësisë, ka një pengesë, një mungesë në të vërtetë, edhe më të madhe: atë të mosnjohjes së talentit, potencialit dhe aftësisë kosovare në glob. Apo për ta thënë ndryshe pamundësia e depërtimit dhe penetrimit në qarqet vlerësuese, qarqet eskpozuese dhe qarqet promovuese të talenteve në perspektivë globale.
Kjo mungesë, është pikërisht mungesa e ekzistencës së artit, kulturës, dhe potencialit krijues kosovarsi vepër, si krijimtari, si masë sociologjike, jo brenda Kosovës apo në qarqet krijuese, por jashtë saj dhe në globalen e këtyre fushëveprimeve përkatësisht. Në të vërtetë krijimtaria artistike nuk është dorëzuar edhe në kohërat më të vështira, ajo ka ekzistuar edhe në vitet nëntëdhjetë kur Kosova nuk ekzistonte.
Fjala e të – mundurit – kosovar që ka përballë inekzistencën jashtë Kosovës, pra nënkupton t’ia dalësh përtej çdo parashikimi dhe çdo ndalese, qoftë jetike dhe ekzistenciale, e qoftë edhe krijuese.
P.S. duke qenë edhe vetë pjesëmarrës i organizimeve të Qendrës Kinematografike Kosovare, duke njohur punën aq të rëndësishme që ka kryer ajo, ne duhet doemos të njohim, është koha e fundit, të vlerësojmë dhe të çmojmë punën që po bëhet në këtë institucion kosovar. Të gjitha lidhjet, kontributet, organizimet dhe arritjet e saj janë të pamohueshëm të lidhura me suksesin e kinematografisë kosovare në perspektivën globale. Aq më shumë që ajo punon nën të lartëcekurin – dezorganizim – të sistemit kosovar.























