Haxhiu: Edhe pasuria e qytetarëve do të hetohet
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka konfirmuar se edhe qytetarët do të jenë subjekt hetimi nga ligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka konfirmuar se edhe qytetarët do të jenë subjekt hetimi nga ligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
“Sa i përket kësaj çështje ka pasur diskutime në opinionin publik. Dokumenti adreson nevojën e rishikimit të pasurisë të zyrtarëve të zgjedhur apo emëruar. Por poashtu len hapësirën të hetohen për pasurinë e pajustifikueshme edhe qytetarët, duke pasur parasysh që shumë zyrtarë që kanë krijuar pasuri të pajustifikueshme e kanë bërë ne emër të një personi të tretë”, ka thënë Haxhiu në konferencën për media.
“Qytetarët përballen me papunësi dhe krim e korrupsion. Sic kemi thënë, fokusi i qeverisë do të jetë pikërisht ndaj problemeve të qytetarëve. Adreson draftimin e menjëhershëm për projektimin e ligjit të pasurisë të pajustifikueshme. Do të jemi në linjë me Kuvendin, Komisionin për legjislacion në mënyrë që ky ndryshim të hyjë në fuqi sa më parë”, ka thënë ajo.
Anëtarët e kabinetit qeveritar, sot e kanë miratuar koncept-dokumentin për pasurinë e pajustifikueshme. Me këtë projektligj do të përcaktohen saktë se cilat janë arsyet për konfiskim të pasurisë.
Ministrja Haxhiu, ka deklaruar se synohet të formojnë agjenci të pavarur për inicimin e procedurave për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Ajo ka thënë se ky projektligj është i rëndësishëm për shtetin e së drejtës dhe përmes shtratit ligjor kthen taksat e qytetarëve në buxhet të shtetit.























