Deklaratë për opinion e Bordit të RTK-së

Deklaratë për opinion e Bordit të RTK-së

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës përmes një deklaratë për opinion thotë se ditëve të fundit ishte në shënjestër të kritikave nga më të ndryshmet.

“Ne, si organ profesional dhe kolegjial, jemi të shqetësuar ndaj këtyre kritikave, të cilat janë të orientuara në forma dhe mënyra të papërshtatshme”, thuhet nder tjerash në këtë deklaratë.

Në vazhdim e gjeni deklaratën e plotë të Bordit të RTK-së:

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), ditëve të fundit, ishte në shënjestër të kritikave nga më të ndryshmet. Ne, si organ profesional dhe kolegjial, jemi të shqetësuar ndaj këtyre kritikave, të cilat janë të orientuara në forma dhe mënyra të papërshtatshme.

Me qëllim të transparencës dhe llogaridhënies së shpenzimit të fondeve publike, Bordi deklaron si në vijim:

▪ Bordi i RTK-së është i hapur ndaj Zyrës Kombëtare të Auditimit, si institucion i pavarur dhe më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar në vend, që në kuadër të përgjegjësive dhe funksioneve të veta ligjore, të zhvillojë një auditim thelbësor brenda institucionit të RTK.

▪ Kjo nënkupton që RTK t’i nënshtrohet një auditimi të vlerësimit të performancës dhe gjendjes financiare.

▪ Në mbështetje të kësaj, Bordi zotohet se do t’i ofrojë bashkëpunim të plotë dhe kushte të nevojshme auditorit përgjatë gjithë procesit të auditimit.

▪ Gjithashtu, Bordi shpreh përkushtimin e tij për kultivimin e frymës së bashkëpunimit dhe llogaridhënies ndaj themeluesit (Kuvendit të Republikës së Kosovës) si dhe forcimin e frymës së transparencës ndaj publikut.

Prishtinë, 22 prill 2021  ​​​​​​Bordi i RTK-së