Albulena Haxhiu reagon pas raportimit të RTK-së për prokuroren e shpërblyer
BKT
Lajme

Albulena Haxhiu reagon pas raportimit të RTK-së për prokuroren e shpërblyer

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pasi Radio Televizioni i Kosovës (RTK), raportoi se ministrja në fjalë e ka shpërblyer prokuroren që ka arrestuar kryetarin e Istogut, Haki Rugovën.

Haxhiu e ka kontestuar vërtetësinë e lajmit. 

“Nuk jam aspak kundër lajmeve e artikujve kritikë, por vërtetë janë bërë shqetësuese artikujt pa asnjë fakt e argument që për bazë kanë vetëm paragjykimin e trillimin. Lajmit të sotëm publikuar në RTK me titull: ‘’MINISTRJA HAXHIU SHPËRBLEN PROKUROREN QË E ARRESTOI HAKI RUGOVËN’’ nuk mund t’i them asgjë tjetër përveç ‘Fake News’”, ka thënë Haxhiu.

Tutje, Haxhiu ka premtuar padi për shpifje ndaj autorës së artikullit dhe mediumit publik.

“Me qëlllim zbardhjen edhe më shumë të kësaj të pavërtete, mbështjen për median e vërtetë dhe raportimin korrekt, unë do të dorëzojë padi për shpifje ndaj autores së artikullit dhe mediumit që e ka publikuar këtë të pavërtetë. Ky ishte opsioni i fundit si përgjigje ndaj këtij artikulli të rremë dhe kësaj mendësie të sulmit të pabazuar”, ka thënë Haxhiu.

RTK-ja gjatë ditës ka raportuar se prokurorja e Valbona Disha Haxhosaj është shpërblyer nga ministrja Haxhiu për shkak se arrestoi një ndër figurat kryesore të LDK’së, Haki Rugovën.

Sipas RTK-së, Haxhiu e shpërbleu prokuroren Disha Haxhosaj me postin e anëtares së provimit të Jurispodencës, përkundër që kjo e fundit përballet me procedurë disiplinore dhe ka shkelje të kodit të etikës.

Sqarim:

Për këtë emërim të zonjës Disha Haxhosaj, sot kanë raportuar edhe mediat tjera, siç është Insajderi. “Prokurorja që urdhëroi arrestimin e Haki Rugovës “shpërblehet” nga ministrja Haxhiu [Dokument]”, është titulli i portalit Insajderi ku raporton gjërësisht për prokuroren në fjalë. Po ashtu në këtë artikull është cituar edhe vetë zonja Haxhiu.

Lidhur me këtë emërim është deklaruar sot edhe ministrja, Albulena Haxhiu. Ku në konferencën e sotme ajo ka thënë se sipas saj, prokurorja, Disha-Haxhosaj është një ndër prokuroret më të guximshme.

“Para se ta caktojë Valbona Disha-Haxhosajn si anëtare, dhe kur i kam bërë ftesë asaj jam njoftuar nga zonja prokurore se ndaj saj ka një masë disiplinore. Edhe ndaj kësaj unë kam vendosur që ajo të jetë anëtare e Komisionet të Dhënies së provimit të jurisprudencës. Për mua ajo është një ndër prokuroret më të guximshme që i ka Këshilli Prokurorial i Kosovës”, ka thënë Haxhiu, citon Insajderi ministren e Drejtësisë.

Artikulli i plotë i RTK-së:

MINISTRJA HAXHIU SHPËRBLEN PROKUROREN QË E ARRESTOI HAKI RUGOVËN

Prokurorja që e arrestoi Haki Rugovën është shpërblyer nga ministrja Albulena Haxhiu me postin e anëtares së provimit të jurispodencës.

RTK ka informata të konfirmuara se Valbona Disha Haxhosaj është shpërblyer me këtë post për shkak të siç e quan Albulena Haxhiu, veprimit të guximshëm lidhur me arrestimin e Haki Rugovës. Edhe pse kjo prokurore ka pasur procedurë disiplinore dhe ndëshkim për shkelje të kodit të etikës, e njëjta u shpërblye nga Albulena Haxhiu vetëm pse persekutoi Haki Rugovën.

Sipas burimeve në kabinetin e ministres, pas kërkesës së Albulena Haxhiut që prokurorja të mos ndalet me veprimet e saja ndaj Haki Rugovës, Valbona Disha i ka premtuar Albulena Haxhiut se ndaj Haki Rugovës do të ngrit aktakuzë shumë shpejt.

Shqiponjë Osmanaj/RTK


MË SHUME NGA Lajme