Rryma e paguar për serbët e Veriut: Kështu e kundërshtonte Kurti dikur
“Ne besojmë se është e padrejtë një gjë e tillë. Ka një dështim të sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës edhe në këtë aspekt”, kishte pohuar Kurti, dy javë pasi ishte zgjedhur kryeministër. “Duhet ta shqyrtojmë me ministra tonë, posaçërisht ata që e kanë në portofolin e tyre energjinë. Që ta marrim një vendim që është sa më i drejt dhe sa më i dobishëm”.
Kështu kishte deklaruar për pagesën energjisë elektrike për serbët në veri të Kosovës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë udhëheqjes së “Qeverisë Kurti 1”.
Para një viti, Qeveria Kurti 1, pati ndarë 10 milionë euro për të paguar rrymën e serbëve në Veri.
Vetëvendosje, por edhe vetë Albin Kurti e kishte kundërshtuar ashpër qeveritë e kaluara për ndarjen e mjeteve për rrymën e shpenzuar nga komunat veriore.
Ndërkohë njëjtë është vepruar edhe sot nga deputetët e Komisionit për Ekonomi, i cili përbëhet me shumicë të anëtarëve të VV’së. Ky Komision ka vendosur që të ndahen 11 milionë euro për rrymën e shpenzuar nga serbët në Veri të vendit.
Ky vendim u propozua nga deputetët e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila dhe Armend Muja ndërsa kundër ishin deputetët e opozitës.
Ndryshe, me 6 vota për, Komisioni votoi propozimin e deputetes Mimoza Kusari./Periskopi/























