​Sot Dita ndërkombëtare e muzikës Jazz

​Sot Dita ndërkombëtare e muzikës Jazz

30 prilli njihet si Dita ndërkombëtare e muzikës Jazz , e cila festohet me qëllim të rritjes së vetëdijes për vlerat e Jazzit si një mjet edukativ dhe forcë për paqen, unitetin, dialogun dhe bashkëpunimin e zgjeruar mes njerëzve.

Për të shënuar këtë datë, në shumë vende bëhen organizime të ndryshme duke u promovuar këtë rrymë të muzikës, e cila nëpër botë është mjaft e popullarizuar.

UNESCO ka caktuar 30 prillin për këtë ditë, me rezolutën e miratuar në Konferencën e Përgjithshme të kësaj organizate, në nëntor 2011.

Muzika Jazz është një lloj muzike shumë intelektuale, e cila krijon ndjenja dhe emocione të veçanta tek individi.

Melodia, ritmi, harmonia dhe loja modale e bëjnë muzikën Jazz një lloj i veçantë arti.

Jazzi si një stil muzikor u shfaq në fillim të shekullit 20, në komunitetin afro-amerikan në jug të SHBA-së. Ai u krijua nga një përzierje e traditave të muzikës afrikane dhe evropiane. Nga fillimet e tij e deri në ditët e sotme, muzika Jazz ka marrë edhe elementë nga muzika popullore amerikane për shumë stile të dallueshme si: New Orleans Jazz që daton nga fillim të 1910, Gypsy Jazz nga vitet 1930 dhe 1940, Bebop nga mesi i viteve 1940, Cool jazz, Avant-gard jazz e të tjerë.

Instrumentet më të përdorur të muzikës Jazz janë: saksi, tromba, tromboni, bateria, kontra basi, ksilofoni dhe instrumentet elektrike pas viteve ‘70-ta.