​Haziri kërkon unitet për dialogun: LDK do të jetë gardian i Republikës

​Haziri kërkon unitet për dialogun: LDK do të jetë gardian i Republikës

Nënkryetari i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri thotë se LDK do të trajtojë kërkesat që kanë të bëjnë me çështje në interes të vendit, siç është tema e dialogut me Serbinë, pavarësisht që ato vinë nga pushteti. Megjithatë, ai thekson se ende nuk kanë pranuar ndonjë ftesë për takim nga kryeministri i vendit.

Në një intervistë Haziri i kujton Kurtit se në kohën sa ai ishte në opozitë nuk ka bashkëpunuar me asnjë qeveri sa i përket dialogut. Ai thotë për çështjet si dialogu nevojitet unitetet dhe duhet gjetur formula që mund t’i bashkojë në tryezë partitë e mëdha politike në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar ditë më parë se do t’i ftojë drejtuesit e partive politike në Kosovë në Kosovë për të diskutuar rreth dialogut Kosovë-Serbi, para se ai të rifillojë në qershor.

Numri dy në LDK, Lutfi Haziri thotë se kjo parti ende nuk e ka diskutuar një gjë të tillë, meqë ende nuk kanë pranuar ndonjë ftesë për takim.

Haziri: Qëndrimi i LDK-së është i qartë si kristali, me qeverinë Kurti do të jemi opozitë

“LDK ende nuk e ka diskutuar sepse ne nuk kemi pasur asnjë lloj ftese deri tash. Ne me qeverinë Kurti e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë se do të jemi opozitë, dhe qëndrimi ynë opozitë është qëndrim i qartë si kristali në këtë drejtim. Ne do të vazhdojmë të trajtojmë kërkesat që do të vinë nga ana e kryeministrit për t’i parë nga afër por çdo kush duhet me pas parasysh se kryeministrit sot në detyrë nuk ka bashkëpunuar me asnjë qeveri në të kaluarën për procesin e dialogut dhe përfshirjen në një konsensus eventual. Do të mundohemi, dhe besoj do të duhet të mundohemi me i lënë inatet politike anash, me qenë racional, në interesa kombëtare, të bashkuar dhe me u përballë me një proces i cili nuk do të jetë i lehtë, i cili është detyrë e qeverisë në radhë të parë”, thotë Haziri.

LDK si parti opozitare ka dëshmuar konstruktivitet duke votuar edhe kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për president të vendit, ish-bashkëpartiaken e tyre Vjosa Osmanin, për çka Haziri thotë se këtë e kanë bërë pa asnjë kërkesë apo kushtëzim politik.

Haziri: Do t’i trajtojmë me kujdes çështjet që janë në interes të vendit

“Ne do t’i trajtojmë me kujdes, nuk i paragjykojmë ftesat as proceset, ne do të jemi të kujdesshëm në trajtimin e të gjitha çështjeve që janë në interes të vendit. Ne shembullin tonë e nuk e kemi vetëm deklarativ, ne e kemi praktikuar në zgjedhjen e presidentes së Republikës pas asnjë kërkesë dhe pa asnjë kushtëzim politik. Ne shpresojmë shumë që të zbatohen detyrat kushtetuese nga bartësit e institucioneve të shtetit, por LDK do të jetë gardian i Republikës. 17 shkurti i 2008 dhe rilindja e kësaj Republike neve na bënë të obligueshëm që me i mbyllë çështjet e hapura dhe e vetmja çështje e hapur në regjion është ajo me Serbinë dhe integrimi i Kosovës me institucionet ndërkombëtare, që përfshinë edhe ato evropiane dhe OKB-në si institucion më i lartë. Deri aty duhet unitet dhe duhet me u gjet formula dhe njeriu i cili mund t’i bashkojë forcat politike, shumicën e madhe politike, edhe minoritetet pse jo, sepse Kosova është e të gjithëve”, thotë Haziri.

Nënkryetari i LDK-së thotë se formati politik i dialogut në Bruksel duhet të jetë i barabartë dhe të eliminojë agjendat e fshehura duke u bërë e qartë se a ka nevojë të negociohet diçka.

Haziri: Kosova të përballet e barabartë në dialog me Serbinë

 

“Gjykata Kushtetuese nuk i jep askujt rol përveç kryeministrit, kryeministri nuk mund të delegojë këtë detyrë, as të zëvendëskryeministri i tij, as të grup ministrat, në çështje të punës ditore, të vlerësimeve e analizave dhe bartjes së çantave po, por në uljen në tavolinë me formatin politik i cili po përgatitet në Bruksel duhet të jemi të gatshëm të përballemi njëjtë, në një format politik të barabartë, në një agjendë të zbardhur politike e cila eliminon agjendat e fshehura, me ditë saktë për çka dhe cilat janë çështjet që do të përfshihen dhe cilat janë çështjet që do të negociohen dhe a ka nevojë të negociohet sepse Kosova ka dhënë shumë dhe e fundit duhet një kohë e përcaktuar e cila e di kur është fillimi dhe kur fundi”, thekson ai.

Në një intervistë për KosovaPress, Lutfi Haziri flet edhe për refuzimin e Kurtit që të takojë presidentin serb më 11 maj në Bruksel e edhe për ndarjen e 11 milionë eurove për pagesë ne energjisë në veri të vendit.

Haziri: Shtyerja e dialogut më 11 maj nga Kurti dhe pagesa e 11 milionë euro për energji në veri, kontradiktore

 

“Shtyerja e dialogut për 11 maj dhe pagesa e 11 milionë eurove është kontradiktore, nuk dua të takohem me 11 maj por agjendën e shtyn brenda për pagesë ne 11 milionë eurove borxh , këto dy 11-she nuk përputhen në agjendë, por besoj shumë që kushdo që është dakorduar për një orar të ri të mbështetet dhe Kosova nëse e mban më 18 qershor një takim të ri, atëherë t’i fitojmë 18 milionë euro të borxhit të energjisë që Serbia ja ka Kosovës, në kuadër të traktatit të energjisë. Zemërgjerësia në thonjëza politike e kësaj qeverie dhe pagesa e 11 milionë eurove është zgjidhja e një problemi të madh në Kosovë që ka ndodh që dhjetë vite, sepse kjo ka qenë në agjendë të çdo qeverie”, thotë Haziri.

Nënkryetari i LDK-së vlerëson se dialogu është e vetmja rrugë të cilën Kosova duhet ta shoh në zgjidhjen e problemit me Serbinë.


MË SHUME NGA Aktuale