Metamorfoza e Kafkës dhe insekti gjigant
Një prej veprave më të rëndësishme të shkrimtarit gjermano-hebre të Çekisë, Franz Kafkës, është ‘Metamorfoza’.
Një prej veprave më të rëndësishme të shkrimtarit gjermano-hebre të Çekisë, Franz Kafkës, është ‘Metamorfoza’. Vepër, e cila është prej më të diskutuarave të shekullit 20-të, ku autori tregon historinë e shitësit Gregor Samsa, i cili një ditë zgjohet i shndërruar në një insekt gjigant.
Vepra fillon kur Samsa zgjohet nga ëndrra të parehatshme, dhe gjen veten të shndërruar në një insekt të madh.
Nëse e shohim në kuptimin e ngushtë të fjalës, ai u shndërrua në një insekt gjigant, por në fakt, sipas disa interpretimeve, atë që autori Franz Kafka dëshiron të ndërtojë, është që në kuptimin metaforik të figurës ose imazhit të insektit, ai të flas për atë se si e përjetonte jetën e tij dhe për përvojën ekzistenciale të vetes.
Kur merret parasysh kontekstin kohor, social dhe shpirtëror të autorit, si një hebre midis një shoqërie anti-semitiste, ku çështja hebreje ishte një temë që vlonte në ajër, dhe marrëdhënien copë-copë me babanë e tij; sikur që pritej nga të gjithë prindërit që djemtë e tyre të ndiqnin hapat e prindërve, atëherë është e lehtë që metaforën e insektit ta kuptojmë si një specie e urryer, për ta shkelur, dhe të padashur në ambientin njerëzor.
“Po të mos ishte për hir të prindërve të mi, do ta kisha lënë këtë punë vite më parë”, shprehet autori pas metamorfozës së tij. Kjo e tregon në fakt absorbimin e tij në një jetë të huaj dhe për të huaj, tëhuajësimin dhe shkëputjen e tij nga vetja, mjegullimin e identitetit dhe ndjenjave të tij personale. Ai punon për të tjerët, kurrë për veten.
Ky është de-humanizimi i tij.
Transformimi i tij në insekt, nuk ka vetëm vlerë degraduese në kuptimin se ai nuk është më njeri, por që në fakt ai “nuk mund të punojë më”, pra, nuk ka më vlerë njerëzore sepse nuk është më mjet ekonomik, nuk është më laborues, as për menaxherin e tij e as për familjen e tij. Vlera tij, është parazitare.
Puna ishte e vetmja gjë që ai mund të ofronte, dhe kjo është edhe matësi i vetëm i “vlerës” në zbrazëtinë e marrëdhënieve njerëzore në shoqërinë kapitaliste të kohës.
“’Prindër të dashur’, thotë motra duke goditur kokën për muri, ‘gjërat nuk mund të vazhdojnë më kështu. Ndoshta ju nuk e kuptoni këtë gjë, mirëpo, unë po. Nuk mund t’ia them emrin vëllait tim përpara këtij përbindëshi, dhe kështu them më mirë ta heqim qafesh atë gjë”.
Pra, Gregori nuk është më njeri, por ‘gjë’.
Gregori edhe para se të shndërrohej në insekt, jetonte si një i tillë dhe trajtohej si tillë, tani edhe është i tillë. Por gjë që shpërfaqë ironinë e autorit, është se tani si një insekt, ai fillon t’i shtrojë pyetjet njerëzore? Pse-në e jetës, ndjenjave, vetes dhe vullnetit jo të lirë të tij.
“Ai qëndroi ashtu, në një gjendje të zbrazët dhe paqësore duke reflektuar derisa akrepat goditën orën tre të mëngjesit…dhe atëherë pa dashje, koka iu rëndua e i ra poshtë, dhe nxori frymën e tij të fundit”.
Tregimi i jetës së Gregor Samsas inspekton individualitetin dhe vullnetin e lirë, dhe se pa to, njeriu është një hiçgjë, dhe nuk mund të ketë jetë autentike dhe të vlefshme në kuptimin e dinjitetit njerëzor. Individi i lirë është parakushti për ndërtimin e një jete me kuptim, dhe të kuptuarin e atij ndërtimi.























