Darka te Borrelli - Cilat do të jenë orekset e vendeve të Ballkanit

Darka te Borrelli - Cilat do të jenë orekset e vendeve të Ballkanit

Atmosfera në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor do të jetë e rekalsuar, e darka megjithatë konsiderohet si "darkë pune". Flitet se Josep Borrell ka përgatitur një non-paper.

Krerët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor do të mblidhen në Bruksel të martën (18 maj) për një darkë tashmë tradicionale të organizuar nga shefi i diplomacisë së BE. Ish-shefja e diplomacisë evropiane Federica Mogherini ka nisur këtë praktikë të mbledhjes së udhëheqësve nga rajoni për të diskutuar situatën në rajon dhe marrëdhëniet e këtyre vendeve me BE - në një atmosferë më pak formale. Josep Borrell do ta vazhdojë këtë tranditë.

"Ballkani Perëndimor është një çështje e madhe gjeopolitike për BE. Rajoni është pjesë e problemit, por edhe pjesë e zgjidhjes. Kjo është arsyeja pse ne duhet ta shohim atë nga një këndvështrim gjeopolitik dhe këtë do ta bëjmë në një darkë në Bruksel, në të cilën shpresoj se do të marrin pjesë të gjithë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor", tha Borrell.

Një javë para darkës, ministrat e jashtëm të BE mbajtën një debat gjeostrategjik në Bruksel, folën për "dështimin në angazhimin e BE në Ballkanin Perëndimor". Në Bruksel thonë se janë të vetëdijshëm për faktin se gjërat janë gjithnjë e më të ashpra në marrëdhëniet midis rajonit dhe Brukselit - si kur bëhet fjalë për politikën e zgjerimit ashtu edhe për politikën e jashtme.

"BE është i shqetësuar për zhgënjimin në rritje në Ballkanin Perëndimor, për shkak të ngecjeve në procesin e zgjerimit. Kjo është arsyeja pse ne duhet të shikojmë se si të kthejmë ndikimin e humbur në rajon", thuhet në burimet diplomatike evropiane.

Ky "frustrim" definohet si "një ndjenjë e zhgënjimit të thellë të qytetarëve në Ballkanin Perëndimor me procesin e anëtarësimit në BE", thuhet në një dokument jozyrtar që u publikua para takimit të Këshillit të Ministrave. Jozyrtarisht, në Bruksel thonë se ky non-paper (në morinë e dokumenteve të këtilla që janë paraqitur javët e fundit) është përpiluar nga vetë Josep Borrell.

Megjithëse ky dokument nuk zgjoi vëmendje aq shumë sa non-papers të tjerë fantazmë për ndryshimin e kufijve, për zgjidhjen e çështjes së Kosovës ose rregullimin e B-H, dokumenti "Angazhimi i shtuar i BE në Ballkanin Perëndimor" ka përcaktuar kornizat aktuale të politikës së BE ndaj këtij rajoni.

Çfarë mund të presim nga BE?

Përveç frazave të njohura të "mbështetjes së qartë dhe të fortë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor", se "e ardhmja e rajonit është në BE", "rëndësia e stabilitetit dhe sigurisë së rajonit është me rëndësi edhe për stabilitetin dhe sigurinë e BE-së", se reformat janë të "domosdoshme", se nevojitet një "bashkëpunim i mirë fqinjësor", në këtë dokument flitet edhe për "pakënaqësinë e thellë dhe zhgënjimin e rajonit me politikën evropiane të zgjerimit".

"Mungesa e vendosmërisë për hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore, përparimi i ngadalshëm i negociatave me Serbinë dhe Malin e Zi në rrugën drejt BE-së, por edhe në zbatimin e përparësive kryesore në B-H dhe në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Kosovën, pasiguria në lidhje me dialogun Beograd-Prishtinë, si dhe perceptimi i dërgimit të ngadalshëm të vaksinave nga BE në rajon", janë disa prej temave që preken në këtë dokument.

Mesazhi kryesor i dokumentit është forcimi i pranisë evropiane në rajon, shpeshtimi i vizitave të zyrtarëve të lartë të BE-së dhe vendeve anëtare në rajon, thirrjet më të shpeshta për përfaqësuesit e rajonit në Bruksel, diplomacia publike dhe koherente e artikuluar mirë rreth BE-së dhe rolit të saj në rajon por edhe politika në këtë rajon ndaj BE-së.

"Unë kam kërkuar nga vendet anëtare që të japin propozime konkrete në këtë drejtim. Unë pres që t'i shqyrtojmë ato para verës. "Ne nuk do të presim më as dy vjet dhe as dy muaj, për të vepruar", thotë Borrell.

Menyja gati, të shohim sa do të ketë "oreks"?

Nga B-H pritet (ende) të bëjë përparim lidhur me 14 prioritetet kryesore të Komisionit Evropian, si dhe "përmirësimin e funksionimit të vendit, duke filluar me reformën zgjedhore dhe kushtetuese". Nga Serbia dhe Mali i Zi (akoma) pritet të përshpejtojnë proceset e reformave, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, por edhe më shumë angazhim politik në konsolidimin e orientimit gjeopolitik, i cili më së shumti i referohet Serbisë.

Për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore, mesazhi është (përsëri) i njëjti: nuk ka ndarje të negociatave të pranimit që duhet të fillojnë "sa më shpejt të jetë e mundur". Kosovës dhe Serbisë u kërkohet të "përdorin momentin e mandateve të forta politike nga udhëheqja nga të dy palët" për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve.

Të gjitha këto mesazhe do të jenë në "menynë" e darkës së gjashtë udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor në Bruksel, ku nuk mund të priten rezultate të mëdha. Por mbetet të shihet se cili do të jetë "oreksi" i vendeve anëtare, të cilat duhet të tregojnë unitet politik për përparimin e marrëdhënieve midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor./DW


MË SHUME NGA Aktuale