Çeku, Europa Nostras për Manastirin: Na tregoni burimet e konstatimeve tuaj

Çeku, Europa Nostras për Manastirin: Na tregoni burimet e konstatimeve tuaj

​​​​​​​Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku sot iu është drejtuar me letër organizatës Future for Religious Heritage (shq: E ardhmja për trashëgiminë fetare) e cila kishte nominuar Manastirin e Deçanit për listën e “Shtatë monumenteve më të rrezikuara në Evropë” të Europa Nostra.  

Në letër, Ministri Çeku liston pyetjet që ka ai dhe i gjithë shteti i Kosovës në lidhje me vendimin e tyre për ta nominuar njërin prej monumenteve më të sigurta në Evropë në listën e më të rrezikuarave.

Letra e plotë pa ndërhyrje:

Të nderuar,

Organizata juaj ka nominuar Manastirin e Deçanit për programin “Shtatë monumentet më të rrezikuara në Evropë” të Europa Nostra. Pas shqyrtimit nga paneli përkatës, Manastiri i Deçanit, ne besojmë, padrejtësisht është përfshirë në listën finale. Një nga të metat kryesore e këtij vendimi të gabuar është faza e nominimit, përkatësisht përmbajtja, argumentet dhe faktet e tekstit të nominimit.

Si organizatë nominuese, ju ftojmë që publikisht të na tregoni burimet e konstatimeve tuaja dhe të na sqaroni disa detaje të rëndësishme të tekstit të nominimit. Konkretisht, ju ftojmë t’i jepni përgjigje pyetjeve në vijim:

– Cili ka qenë burimi i informacionit për sulmin e pretenduar të organizatës terroriste ISIS në Manastirin e Deçanit?

– Kujt saktësisht i referoheni kur përmendni termin “ekstremistë lokalë” dhe në raportet e cilave institucione të sigurisë jeni bazuar në lidhje me katër sulmet e pretenduara?

– Cili ka qenë burimi i informacionit për konstatimin tuaj se në afërsi të dyerve të manastirit planifikohet ndërtimi i një autostrade të madhe ndërkombëtare?

– A jeni në dijeni për marrëveshjen e arritur vitin e kaluar mes palëve (përfshi klerin ortodoks) në lidhje me rrugën, e cila as nuk ka qenë e menduar si autostradë dhe as nuk është ndërtuar?

– Cilat janë burimet e tjera mbi të cilat e keni ndërtuar argumentin tuaj për të nominuar Manastirin e Deçanit?

– Ne besojmë që çështja e manastirit dhe dialogut politik mes Kosovës dhe Serbisë nuk janë të ndërlidhura. A mund të na sqaroni cila është lidhja e pretenduar në tekstin tuaj mes këtyre dyjave?

– A mund të na tregoni se me cilat organizata të shoqërisë civile, institute e profesionistë, institucione e grupe të tjera nga Kosova jeni konsultuar për këtë nominim?

– A e keni vizituar Manastirin e Deçanit për të parë nga afër gjendjen reale gjatë procesit të nominimit?

– A keni informacion të mjaftueshëm mbi gjendjen aktuale, situatën e sigurisë, mbrojtjen kushtetuese, ligjore dhe institucionale të Manastirit të Deçanit?

Përgjigjet tuaja do të jenë me interes për gjithë qytetarët e Kosovës dhe më gjerë. Mezi presim t’i lexojme ato.

Me respekt,

Hajrulla Çeku

Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit


MË SHUME NGA Aktuale