“Shtëpia me Gjethe” përkujton Imzot Jul Bonatin
Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”, që hapi dyert katër vjet më parë, përkujton martirin e krishterë, Imzot Jul Bonatin.
Imzot Jul Bonati u lind në Shkodër, më 24 maj 1874. Imzot Jul Bonati studioi në Kolegjin Saverian të Jezuitëve në Shkodër.
Është diplomuar për filozofi dhe letërsi në Vjenë, Austri dhe në Padova, Itali. Më 1912 do të dorëzohej prift, ndërsa u vendos në Stamboll, ku u shërbeu katolikëve shqiptarë që ndodheshin atje.
Shërbeu 16 vjet në Stamboll, ku mori pjesë aktive në Lëvizjen Kombëtare. Nga viti 1920 deri në vitin 1924, ishte anëtar i Klubit “Pragu shqiptar”.
Në vitet 1942-1946 jetoi në Itali, ku vazhdoi punën shkencore e letrare deri në fund të vitit 1945 kur u kthye në Shqipëri.
Më 1946, në moshën 72-vjeçare u arrestua, ndërsa me vendimin nr. 429 datë 31.10.1947 të Gjykatës Ushtarake u deklarua fajtor, me akuzën si “agjent i Vatikanit” dhe u dënua me 7 vjet heqje lirie në qytetin e Elbasanit.
Gjatë viteve të vuajtjes do ta mbyllnin dhe në çmendinë. Vdiq i masakruar në spitalin e burgut në Durrës, më 5 nëntor 1951.
Më 5 nëntor 2016, 65 vjet nga dita e vdekjes së tij, u shpall i Lumë së bashku me 37 martirë të tjerë.
Lindi në një familje të shquar katolike, në Shkodër, nga martesa e Aleksandër Bonatit dhe Roza Melgushit.
Me origjinë ndoshta shqiptaro-venedikase nga Korfuzi, ajo pati krushqi me shtëpi të tjera patrice katolike shkodrane.
Bashkëshortja e Vaso Pashës ishte e dalë po nga kjo derë. Gjyshi i Patër Julit, Nikollë Bonati, ishte një nga bashkëthemeluesit, me Ferit pashë Vlorën, Mehmet Ali bej Vrionin, Frashërllinjtë dhe Vaso Pashën, të Shoqërisë së shkronjave të Stambollit, më 12 tetor 1879.
Lidhjet e vjetra stambulliote të Bonatëve do të shënjonin të gjithë jetën e Julit si bari shpirtrash dhe patriot.
U pagëzua dhe krezmua në Shkodër nga Imzot Karl Pooten, arqipeshkëv metropolitan i Shkodrës dhe Primat i Shqipërisë, respektivisht më 31 maj 1874 dhe 5 qershor 1881.
Pasi studioi në kolegjin “Xaverianum” të Jezuitëve të Shkodrës, hyri si novic në Kompaninë e Jezusit në provincën e Portoresë, në rajonin e Fiumes, më 1891.
Seminarin dhe studimet universitare për teologjia e filozofi i kreu në Vjenë.
Mori urdhrat e vegjël dhe të mëdhenj, përfshirë meshtarinë, në gjirin e Jezuitëve, në Portoré dhe Gorizia.
Pas shugurimit meshtarak ushtroi funksionet e prefektit të studentëve në Gorizia, Cremona dhe Brescia.
U dërgua në Universitetin e Padovës, ku ndoqi doktoraturën në Letërsi e Filozofi.
Ishte profesor në Como, Soresina, Milano, Shkodër dhe Stamboll. Doli nga Kompania e Jezusit për t’u bërë prift dioqezan, më 14 gusht 1912.
Në atë kohë u vendos në Stamboll, i inkardinuar pranë vikariatit apostolik të latinëve të kryeqytetit perandorak, për të ushtruar detyrën e famullitarit të katolikëve shqiptarë që ndodheshin në brigjet e Bosforit, detyrë që ushtroi pranë kishës së Sh. Ospit në lagjen “Taksim”.
Mori pjesë aktive në ndihmë të çështjes kombëtare në Konferencën e Paqes më 1918 me koloninë shqiptare të Stambollit kryesuar nga Halil pashë Alizotin, me pjesëtarë të tjerë Sulejman bej Delvinën, Fuad bej Dibrën dhe Mihal Shan Tepelenën, duke mbështetur dërgatën e Shtetit Shqiptar me në krye Imzot Luigj Bumçin.
Nga 1920 deri më 1924 qe anëtar i Klubit “Pragu shqiptar”, që kryesohej nga Jonuz bej Kolonja dhe Anastas Frashëri dhe që ishte një nga shprehitë e fundit institucionale të Shoqërisë së Stambollit të formuar më 1879 pjesërisht nga paraardhësit e të tre këtyre personaliteteve.
Qëndron në Stamboll deri më 1927 kur edhe kthehet në Shqipëri.
Nga 1927 deri më 1937 qe famulltar dhe vikar i përgjithshëm i arqipeshkvisë së Durrësit, kur arqipeshkëv ishin, njëri pas tjetrit, Imz. Françesko Melkiori Ofm dhe Pjetër Gjura dhe përpara se administrimin e saj ta merrte në dorë Imz.
Vinçenc Prenushi Ofm. më 1937 caktohet famullitar në Vlorë, ku më 1938 shugurohet ipeshkëv, ku në kushte të vështira jetese e pune shërbeu deri më 1942.
Atë vit transferohet pranë Selisë së Shenjtë dhe për arsye shëndetësore dërgohet në spitalet e Montekatinit.
Më 1944 pati një mbledhje të rëndësishme tok me klerikë të tjerë të Evropës Lindore, me Papa Piun XII.
Për t’u përgatitur me kushtet e regjimit komunist kthehet në Shqipëri, ku në Vlorë nuk do të shërbente më shumë se dy muaj ngaqë e priste arrestimi.
U arrestua nga policia komuniste më 25 mars 1946 dhe u burgos në Vlorë.
Gjyqi politik ju bë në Elbasan ku, më 31 tetor 1947, u dënua me 7 vjet burg. Gjykata e Lartë ia ktheu dënimin në 5 vjet.
I keqtrajtuar fizikisht dhe moralisht, u shua me dinjitet dhe pa mohuar besimin e tij, më 5 nëntor 1951, në Spitalin Psikiatrik të Durrësit.
Procesi kanonik i lumturimit të tij është në instruksion e sipër në Kongregatën e çështjes së shenjtëve të Selisë së shenjtë që prej viteve 1990.























