Pse njerëzve të mirë u ndodhin gjëra të këqija?
Zadig, novela e shkurtër e Volterit, është dëshmi e besimit të tij në një drejtësi universale dhe sistem moral që përfshinë të gjithë njerëzimin në të gjitha kohërat.
Filozofia e tij e veshur me stilin briliant të shkrimit, sarkazmën, humorin, ironinë, e bënë Volterin mjeshtrin e përjetshëm të letrave.
“Pse njerëzve të mirë u ndodhin gjëra të këqija”? Është pyetja që e ndërton këtë vepër.
Zadig, një filozof në Babiloninë e lashtë, njëjtë sikurse personazhi i përjetshëm Kandidi, e gjenë veten në mes lloj-lloj ngatërresash gjatë tërë komplotit të veprës. Zadig është i mirë, human, me një zemër të pastër, aftësi gjykuese të mëdha, trim dhe fitimtar në beteja.
Autori shkruan se Zadig ishte “i urtë, aq sa është e mundur që një njeri të jetë i urtë. Ai dinte metafizikë aq është e mundur të dihet për metafizikë, pak, ose hiç asgjë”.
Një ditë, duke e mbrojtur nga hajdutët Semirën, gruan që e dashuronte, ai plagoset në syrin e majtë.
“Një lajmëtar u dërgua në Memfis për të thirrur mjekun e madh egjiptian Hermesin. Ai e vizitoi Zadigun, dhe deklaroi se pacienti do ta humbas syrin. Ai edhe e tregoi paraprakisht datën e saktë kur ky fatalitet do të ndodhte.
“Po të kishte qenë syri i djathtë” tha ai “unë shumë lehtë do ta kisha shëruar, por plagët në syrin e majtë janë të pashërueshme”.
E gjithë Babilonia vajtoi për fatin e keq të Zadigut, dhe admiroi dituritë e mahnitshme të Hermesit. Për dy ditë plaga u zhbë vetvetiu, dhe Zadigu u shërua plotësisht. Hermesi shkroi një libër se pse kjo gjë nuk është dashur kurrë të ndodh. Por Zadigu nuk e lexoi”.
Por Samira pasi kishte dëgjuar raportimin e parë të Hermesit, ishte lidhur me një tjetër. Dhe edhe Zadigu martohet me një fshatare për virtytet e saj.
Për të testuar besnikërinë e gruas së tij, Zadig bën një marrëveshje me mikun e tij që të shtiret kinse ka vdekur, dhe që shoku i tij të provojë ta josh atë për të bërë dashuri pas një ore. Dhe ajo e tradhtoi.
Zadigu, i zhgënjyer, i drejtohet jetës së pyllit për tu bashkuar me natyrën.
Në jetën e vetmuar si hermit i pyllit, ai bëhet i mençur dhe vezir i mbretit të Babilonisë, të cilit i sjell prosperitet, drejtësi dhe paqe. Por, tani mbretëresha bie në dashuri me të, dhe mbreti fillon ta vërej këtë gjë.
“Ai veçanërisht vërente se këpucët e mbretëreshës ishin të kaltërta, dhe këpucët e Zadigut ishin të kaltërta, që fjongot e gruas së tij ishin të verdha, dhe palltot e Zadigut ishin të verdha”.
Mbreti ndërmori planin e tij që ti helmonte që të dy, por mbretëresha kishte dëgjuar paraprakisht dhe e paralajmëron Zadigun që të braktisë mbretërinë.
Duke kaluar jashtë Babilonisë ai e sheh një burrë duke rrahur një grua; ai niset ti ndihmojë, dhe duke qenë edhe vetë në rrezik, e vret atë. Gruas së sulmuar i thotë ‘Çfarë tjetër mund të bëjë për ju zonjushë’?, dhe ajo i tregon që ai ishte burri i saj dhe sa tanimë i është shkatërruar jeta.
Zadigu pastaj burgoset dhe skllavërohet, por e fiton besimin e pronarit të tij duke i mësuar filozofi, dhe bëhet këshilltari i tij i parë.
Përmes këshillave të tij, praktika e sutte-s (praktikë e cila kërkon që vejushet kur u vdes burri, duhet të varrosen me burrat e tyre), tani modifikohet që para se të ndodhë kjo sakrificë, vejushat duhet që të kalojnë 24 orët e fundit të jetës së tyre me një mashkull të bukur.
Deklarata përfundimtare te Zadig është se “nuk ka asnjë të keqe nga e cila të mos lindë ndonjë e mirë”. Zadig përpiqet të argumentojë, duke mbrojtur me modesti moralin e pashmangshëm të kësaj historie, por kontradiksioni i përjetshëm mes teodicesë dhe botës të mirët pësojnë fatkeqësi dhe të këqijtë shpërblehen nuk mund të zgjidhet.























