VIRUSSIA sjell fakte konkrete për ndikimin rus në Ballkan
Sharr Travel

VIRUSSIA sjell fakte konkrete për ndikimin rus në Ballkan

Radio Televizioni i Kosovës ka përfunduar realizimin e projektit televiziv nga zhanri i dokumentarëve, i cili sjell para audiencës shembujt e ndërhyrjes së Federatës Ruse në Ballkanin Perëndimor. Dokumentari me emër VIRUSSIA përbëhet nga 4 pjesë - Siguria, Propaganda, Diplomacia dhe roli i kishës ortodokse. Realizimi i këtij projekti ka zgjatur rreth 2 vjet.

Të hënën, më 07.06.2021, shfaqet emisioni i parë  në Radio Televizionin e Kosovës si dhe ne kanalin T7.

Projekti është realizuar nga Radio Televizioni i Kosovës, me partneritet të mediave të tjera ballkanike si dhe instituteve të veçanta që merren me studimin e ndikimit rus.

Ky dokumentar, si rrallë herë, ka arritur që t’i përfshijë brenda shqiptarë, serbë, boshnjakë, malazezë e maqedonas. Politikanë, studiues, ish-pjesëtarë të inteligjencës e gazetarë flasin për pothuajse njëzëri për pasojat që ka shkaktuar ndër vite Rusia në rajon dhe më gjerë.

Dokumentari VIRUSSIA sjell fakte interesante edhe për kushtëzimin e mosnjohjes së Kosovës që Rusia ia ka bërë Serbisë. Shikuesit, për herë të parë do të kenë mundësinë që të njihen me këto kushtëzime dhe presionin direkt të Kremlinit zyrtar jo vetëm ndaj Serbisë, por edhe vendeve fqinje të Kosovës.

Dokumente të tjera, që botohen për herë të parë dhe që ndërlidhen me ndikimin e zyrtarëve rusë lidhur me barrikadat e serbëve të veriut në vitin 2011 dhe 2012.

Njohës nga NATO, Bashkimi Evropian dhe Qendra për Ekselencë në Helsinki si dhe një gazetar investigativ holandez, i cili ka marrë pjesë në dekonspirimin e rusëve në mashtrime me zgjedhjet në shumë shtete, janë pjesë e VIRUSSIA.

Episodi i parë që do të transmetohet të hënën, flet në veçanti për rastet e interferimit rus në sigurinë nacionale të shteteve ballkanike përmes spiunazhit, por edhe gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.

Në këtë episod, përveç tjerash flitet për bashkëpunëtorët serbë të shërbimeve sekrete ruse në rastin e njohur “Panda” në Pejë, në vitin 1998. Me këtë rast, ishin vrarë 6 të rinj serbë, kurse rasti i ishte mveshur UÇK-së.

Ekipi që realizoi dokumentarin: Mentor Shala, autor dhe skenarist, Mumin Jashari, producent dhe xhirues, Gynen Venhari, gazetar, Menduh Hysa, konsulent profesional etj.