Kurti për dialogun: Na duhet konsensus
BKT
Lajme

Kurti për dialogun: Na duhet konsensus

Kryeministri Albin Kurti para deputetëve të Kuvendit ka paraqitur një ekspoze të të gjithë procesit të dialogut me Serbinë qysh në nisjen e këtij procesi

Sipas tij, dialogu është karakterizuar me disa veçori që pengojnë të arrihen ato që janë paraparë.

Madje sipas tij, përfshirja e temave të brendshme në dialog bie ndesh me parime.

Kurti shtoi se dëmi i shkaktuar nga Qeveritë paraprake është që 22 vende që e kanë njohur Kosovën kanë ndikimin nga 5 vendet mosnjohëse, raporton Ekonomia Online.

“Të përpiqemi që së bashku nga mësimet e nxjerra të arrijmë në përfundime të vlefshme. Një dokument që e kemi përgatitur fillon qysh me paraqitjen e kornizave në kuadër të të cilave filluar dialogu. Kemi marrëveshjet e arritura në fazën e dialogut teknik e politik. Gjatë këtyre fazave janë nënshkruar një sërë dokumentesh që kanë marrë emërime të ndryshme. Për dokumentet e nënshkruara e të panënshkruara, publike e jo publike janë vendosur emra të ndryshëm. Kemi 15-54 marrëveshje të ndara. Nga këto marrëveshja janë pritë përfitime të mëdha për vendin, si ndikimi i Serbisë në Kosovë të ndalohej, të përfitonte edhe ekonomikisht Kosova dhe që të përfundonte me marrëveshje paqeje me dy vendeve”.

“Në përgjithësi mund të thuhet se dialogu është karakterizuar me disa veçori që pengojnë të arrijnë ato që janë paraparë. Futja e temave të brendshme në dialog bie ndesh me parime. Procesi gradualisht ka rrëshqitur për rregullim të brendshëm të vendit tonë. Dialogu kishte filluar pa parime. Vetë procesi i normalizimit të marrëdhënieve asnjëherë nuk është përkthyer në përmbajtje. Mungon vullneti nga BE-ja për një marrëveshje finale me një arsyetim jobindës si fakti për mosnjohjen e 5 vendeve të BE-së të cilat e kanë kushtëzuar njohjen me dialogun Kosovë-Serbi”.

“Procesit i mungon një horizont kohor, mungesa e afateve kohore e ka dëmtuar procesin sepse e ka ekspozuar në ndikime politike. Tash është problematike sepse fillon cikli i zgjedhjeve në qendra të vendimmarrjes. Ne jemi vend i pavarur dhe koha që kalon duhet të sjellë ndryshim realiteti në Serbi, ta njohin Kosovën, jo në Kosovë të shfaqë dyshime për shtetësinë e Kosovës”.

“Dialogu është dëmtuar në masë nga qasja asimetrike e Bashkimit Evropian. Dëmi i shkaktuar nga Qeveritë paraprake është që 22 vende që e kanë njohur Kosovën e kanë ndikimin tash nga 5 vendet mosnjohëse. Ne u kemi vështirësuar atyre që të bëjnë trysni për neve”.

Kreu i Qeverisë ka thënë se vendit i duhet konsensus i përgjithshëm dhe se parimet e tij si palë negociuese në këtë proces janë pranimi i krimeve nga Serbia dhe përfaqësimi i barabartë i palëve, raporton EO.

“Është e rëndësishme që uniteti i brendshëm është i rëndësishme. Është e rëndësishme të ndërtohet konsensus të brendshëm për këtë rast. Ne po raportojmë në Kuvend e Komisione ende pa filluar dialogut. Qasjen ndaj tij e dini sepse atë e kam përsëritur disa herë”.

“Pranimi i Kosovës nga Serbia, pranimi i krimeve të saj si dhe barazia e palëve përfaqësuese janë parimet e mija”, ka përfunduar Kurti.


MË SHUME NGA Lajme