Pianisti francez në skenën e “Chopin Piano Fest"
Në programin “Mirëmëngjesi Kosovë” të RTK-së, mysafirë ishin Lejla Pula, drejtoreshë e festivalit “Chopin Piano Fest", si dhe Jerome Granjon , pianist francez, i cili për herë të dytë merr pjesë në skenën e “Chopin Piano Fest", me ç’rast folën për festivalin, karakterin e tij, si dhe për koncertin të ekzekutuar me piano nga ana e mysafirit.
“Jerome Granjon mban koncert në kuadër të projektit të tij që përfshin 48 preludiumeve dhe fugave të Bachut, dmth, sivjet kemi mbrëmje tematike dhe vendi i parë që ka luajtur ishte Prishtina, që për ne ishte përgjegjësi e madhe”, theksoi mes tjerash Lejla Pula, drejtoreshë e festivalit.
Ndërsa pianisti francez, Jerome Granjon, theksoi se mbajtja e koncertit të Bachut para publikut të Prishtinës ishte sfiduese dhe përvojë e re.
“Falënderoj publikun e Prishtinës, si dhe juve Lejla, për ngrohtësinë që keni treguar ndaj meje dhe që më mundësuat të shfaqem para jush, sepse vërtetë ishte sfiduese”, deklaroi ai.
Më tej ai foli edhe për studentët e muzikës, që, sipas tij, janë të talentuar dhe të përkushtuar për muzikën.
“Keni studentë të shkëlqyer të muzikës dhe keni një dashuri të ndjeshme për muzikën klasike, ndaj jam i bindur që studentët tuaj në të ardhmen mund të mbajnë koncerte nëpër botë”, shtoi ai.
Nga ana tjetër, drejtoresha e festivalit, Lejla Pula, foli edhe për bashkëpunimin mes studentëve kosovarë të “master class-it” dhe të pianistit Jerome Granjon, që, siç theksoi ajo, qëndron në nivel të lartë./RTKLive























