Java e aktiviteteve në fushën e Albanologjisë
Në emisionin Mirëmëngjesi Kosovë, në RTK, mysafir ishte dr. Hysen Matoshi, drejtor i IA-së, i cili foli për aktivitetet e Javës së Albanologjisë, që ka nisur dje e që do të zgjasë një javë.
“Dje u bë hapja e Javës së 12 të Albanologjisë, në të cilën patëm një seancë plenare dhe dy seanca tjera të ndara ku u zhvilluan punimet në fushën e gjuhësisë dhe të folklorit”, theksoi Matoshi.
Ai më tej njoftoi se në seancën plenare morën pjesë studiues nga hapësira gjithëshqiptare, ku veçoi kryetarin e Akademisë së Shqipërisë, Skender Gjinushi, homologu i tij Mehmet Kraja, drejtorin e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës në Maqedoni, Ylber Sela, etj.
Më tej z. Matoshi foli për aktivitetin e seancës plenare, e cila ishte ndarë në dy tërësi, ku në pjesën e parë u bë prezantimi i botimeve shkencore nga IA brenda viteve 2019-2020.
“Nga shkaku i pandemisë ne nuk arritëm të organizonim me kohë aktivitetin e Javës së Albanologjisë, prandaj dje kemi bërë punën e pakryer një vit më parë, pra botimet e IA-së gjatë viteve 2019-2020, ku janë botuar mbi 60 vepra të ndryshme, ku do të veçoja kompletin e veprave të Anton Çettës, projekt i sektorit të folklorit, pastaj Monografinë për IA, ku bëhet fjalë për formimin e IA, të hartuar nga studiuesi Nuredin Ahmeti, vepër ku përfshihen aktivitetet e IA gjatë viteve 1953-1955, periudhë pak e njohur për ne”, sqaroi Matoshi
Tutje ai shtoi se dje u bë edhe prezantimi i punës dhe i aktiviteteve në disiplinat tjera të Albanologjisë, duke vënë theksin këtu edhe nxjerrjen e revistave si: ‘’Gjurmime Albanologjike’’, ku janë prezantuar 6 numra, pastaj rev. ‘’Gjuha Shqipe’’, etj.
Mes tjerash, drejtori i IA-së, Hysen Matoshi, sqaroi se prej 61 veprash të botuara brenda këtij harku kohorë, 38 prej tyre janë botuara në vitin 2020.
Ndër të tjera Matoshi theksoi se në Javën e Albanologjisë marrin pjesë studiues me laryshi brezash, pra edhe studiues të rinj, me ç'rast kemi një ndërlidhje brezash, që njëherit është edhe synim i yni./RTKLive























