Filmi “Zgjoi” - Pesha dhe barazia e dhembjes
Ballsor Hoxha
Rreth filmit “Zgjoi” nga regjisorja Blerta Basholli me aktore kryesore Yllka Gashi.
Filmi “Zgjoi” i regjisores Blerta Basholli ka fituar çmime të cilat në tërë realitetin e industrisë së kinematografisë botërore krijojnë një shenjë të pakalueshme dhe të pamohueshme, qoftë të arritjes kinematografike kosovare, dhe po ashtu edhe të njohjes së tragjedisë e dhembjes së shoqërisë sonë. Në të vërtetë është film i cili ndoshta për herë të parë fiksionalizon një jetë të vërtetë dhe me këtë arrin të njihet në tërë botën për suksesin e tij.
Ngjarja e filmit “Zgjoi” ka të bëjë me realitetin e gruas, në lirinë e shoqërisë sonë, me mungesën e bashkëshortit të saj dhe po ashtu me mbijetesën për vete dhe të familjes së saj.
Është ngjarje e vërtetë e cila vëzhgon dhe përcjellë jetën e pas luftës së një gruaje dhe të familjes së saj, në kërkim të mbijetesës dhe po ashtu në kërkim të të dashurit të tyre të pagjetur, në të vërtetë të mbetur si peng i luftës. Aq më shumë në këtë ngjarje personazhja kryesore, luajtur me besueshmëri tejet të arritur dhe duke krijuar realitetin krejtësisht të vërtetë nga Yllka Gashi, arrin të mobilizoj tërë grupin, e grave të mbetura në pritje të burrave të tyre, për t’ia dalë mbanë me ekzistencën e tyre dhe të familjeve të tyre.
Gruaja, në shoqëritë e ngjashme patriarkale si shoqëria jonë, është qenia e cila mbetet në sub-stratat e plotësisë së qeniesimit.
Në këtë, çdo përjetim dhe çdo përvojë e saj, është e kushtëzuar nga masa/pesha që i caktohet asaj nga rendi. Duke qenë në sub-strata, qoftë edhe esencat e qëniesimit si liria dhe mbijetesa janë të paracaktuara për atë nga shoqëria jonë.
Në këtë filmi “Zgjoi” në regji të regjisores së re Blerta Basholli, krijon një paradoks të vetë shoqërisë sonë. Paradoksi duke u shfaqur në barazinë, dhe aq më shumë në peshën edhe më të rëndë të përjetimit të luftës, tragjedisë së saj, dhe aq më shumë të lirisë, si dhe dallimin për ata që e mbajnë pushtetin e rendit shoqëror dhe të vetë grave.
Në të vërtetë liria për personazhen kryesore të këtij filmi është shumëfish e shtresuar në tragjedi. Ajo është grua e cila ka humbur, ka të munguar burrin, dhe është në prag të mbijetesës, është në prag të ‘përjashtimit’/tëhuajsimit në shoqëri, të përhershëm, si e “pa burrë”, dhe aq më shumë në prag të ekzistencës së saj të rrezikuar nga varfëria.
Filmi “Zgjoi” është film i cili rikrijon realitetin e gruas në një situatë tejet të rëndë dhe në këtë shfaq përball nesh vetë pushtetin, si të vetëdijshëm po ashtu edhe atë të pavetëdijshëm të shoqërisë sonë ndaj gruas. Në këtë përmes këtij filmi arrijmë të shohim se vuajtja, dhembja dhe tragjedia e një individi si personazhja kryesore në film, dhe në jetë të përditshme, janë edhe të tejkalueshme, saktësisht nganjë grua në një shoqëri patriarkale.
Duhet një forcë e vërtetë për të parë këtë film, në tërë arritjen e tij. Duhet një forcë për të përballur të gjitha shtresat e tragjedisë që shënjon ky film. Në të vërtetë shtresat janë të dy llojeve, me sa u tha deri më tani: ato të tragjedisë kolektive të luftës në Kosovë, dhe ato të gruas si qenie në sub – strata të shoqërisë sonë.
Dhe aq më shumë, që të perceptojmë, dhe të pranojmë se pesha e dhembjes është e barabartë për të gjithë, aq më shumë që gruaja e mbetur në nën – shtresën e shoqërisë sonë e vuan këtë në aspekte të shumëfishta.
Filmi “Zgjoi” në tërë suksesin e tij na bën të kuptojmë se edhe rrëfimet me fund të lumtur, nëse një i tillë është i mundshëm, në shoqërinë tonë me aq shumë pengje të luftës, megjithatë janë të mundshme dhe ndodhin.
Dhe është pikërisht kjo shtresë e këtij filmi e cila do të duhej të krijonte përkufizimin dhe emocionin e plotë të këtij filmi. Në të vërtetë të kësaj historie të jetuar dhe të tejkaluar nga një grua, dhe një kolektiv grash në periferi të Kosovës.























