Gjykata do të vërtetojë paligjshmërinë e shkarkimit të Bordit të RTK-së
BKT
Lajme

Gjykata do të vërtetojë paligjshmërinë e shkarkimit të Bordit të RTK-së

Shkruan: Petrit Musolli

Mungesa e gatishmërisë së opozitës për të ankimuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin politik të njëanshëm, arbitrar dhe të pambështetur në prova, për shkarkimin kolektiv të anëtarëve të Bordit të RTK-së, dëshmon se opozita parlamentare, përtej retorikës politike, në thelb pajtohet me arsyetimin e Komisioneve Parlamentare, të cilat kanë inicuar shkarkimin si dhe vendimin e partive në pushtet për shkarkimin e Bordit të RTK-së.

Deputetët e Kuvendit, para se të jenë anëtarë të subjekteve politike, janë përfaqësues të popullit dhe, në raste kur vlerësojnë se një qytetari i është shkelur e drejta ligjore dhe njerëzore, do të duhej të reagonin në mbrojtje të tij. Mungesa e këtij reagimi nënkupton se ata nuk janë të bindur në shkeljen e këtyre të drejtave ndaj anëtarëve të shkarkuar të Bordit të RTK-së nga partitë në pushtet!

Pa asnjë dyshim, Gjykata do ta vërtetojë se vendimi për shkarkimin kolektiv të anëtarëve të Bordit të RTK-së, mbi të gjitha, është i kundërligjshëm!

Pse ka rëndësi që rasti të trajtohet nga Gjykata dhe të vërtetohet kundërligjshmëria e vendimit?!

Shkarkimi i një Bordi, e sidomos i një medium publik, me vendim politik, arbitrar dhe të pambështetur në prova, krijon precedentin e rrezikshëm për secilin bord të ardhshëm dhe secilin anëtar të ardhshëm të bordit, të cilët nën kërcënimin e shkarkimit me vendim të njëanshëm politik, do të mbahen në vazhdimësi të shantazhuar dhe për pasojë të cenuar në ushtrimin e detyrës së tyre në mënyrë të pavarur dhe të pandikuar nga politika.

Vërtetimi i kundërligjshmërisë së vendimit për shkarkimin politik të Bordit të RTK-së do të shënojë mbrojtjen përfundimtare të integritetit profesional e moral, sidomos për bordet pasuese të mediumit publik. Në këtë kauzë nuk do të duhej të ndikonte asnjë kalkulim politik për përfitime momentale.


MË SHUME NGA Lajme