Partitë nuk ua besojnë grave kandidimin për kryetare të komunave
BKT
Lajme

Partitë nuk ua besojnë grave kandidimin për kryetare të komunave

Vetëm një grua, deri tani, është kandiduar për kryetare të komunës për zgjedhjet lokale të 17 tetorit. Në LDK, partia që ka caktuar Hyri Dobrunaj kandidate për kryetare të Deçanit, thonë se synojnë të kenë edhe kandidate të tjera. Nga shoqëria civile ndërkaq kritikojnë partitë se pak po u dhënë hapësirë grave, ani pse, sipas tyre, gratë janë treguar të suksesshme në qeverisje dhe janë të pa korruptuara.

Numri i grave kandidate për kryetare të komunave, në të gjitha proceset zgjedhore të organizuara në Kosovë, që nga paslufta, ishte shumë i vogël. Në mesin e pak kandidateve gra, e para dhe e vetmja kryetare e zgjedhur është Mimoza Kusari-Lila, që për një mandat i priu Gjakovës.

E, nëse e merr besimin e qytetarëve, gruaja e dytë kryetare e një komune në Kosovë mund të jetë Hyri Dobrunaj, kandidatja e LDK-së, për kryetare të Deçanit. Zëdhënësja politike e LDK-së, Sibel Halimi, në një prononcim për Radio Kosovën, duke mos treguar se a do të ketë kandidate të tjera, tha se LDK synon të ketë më shumë gra kandidate.

“Çështja e gruas është një prej çështjeve më me fokus të partisë. LDK, ndër të tjera, përveç se ka synim që të propozojë më shumë gra kandidate në komuna, perspektiva gjinore po ashtu është shumë e rëndësishme në programet e kandidatëve të LDK-së, që kanë për të kandiduar për zgjedhjet lokale”, tha Halimi.

Përveç LDK-së, partitë e tjera parlamentare, Vetëvendosje, PDK e AAK, akoma nuk ia kanë besuar asnjë gruaje kandidimin për kryetare të komunave, ndonëse  PDK e AAK kanë kandiduar disa burra.

Numrin e vogël të kandidateve për kryetare të komunave Luljeta Demolli, drejtoreshë në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, e ndërlidh me patriarkatin dhe besimin që kanë në gra liderët e partive.

“Arsyet janë të ndryshme e kryesorja patriarkati. Gratë nuk i mbështesin shumë as familja e as partitë politike, që ato t’i marrin këto pozita, por edhe të fitojnë garën. Nuk iu besohet shumë. Partitë politike duhet të shmangin patriarkatin prej mënyrës se si qeverisin dhe t’u besojnë grave më shumë”, tha ajo.

Demolli, tutje, tregon disa arsye se pse sipas saj, Kosovës i duhen më shumë gra kryetare të komunave. 

“Gratë duhet të qeverisin pasi janë të mira në qeverisje dhe këtë e kanë dëshmuar. Janë të pa korruptuara. Nëse gratë vijnë në pushtet, Kosovë shkon kah politikat sociale. Është në interes të vendit që të ketë sa më shumë gra vendimmarrëse”, tha Demolli.

Në zgjedhjet e fundit lokale të mbajtura në vitin 2017, nga 204 kandidatë që i ishin futë garës për kryetarë të komunave, vetëm 8 ishin gra. 

(Pajtim Çuni)


MË SHUME NGA Lajme