Lekaj,Vetëvendosjes: Kjo që po bëni ju s’ka ndodhur as në sistemin komunist
Është duke u zhvilluar seanca e Kuvendit të Kosovës. Ndër të tjerash në këtë seancë lidhur me kërkesën për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave.
Kryetarja e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë, Fitore Pacolli, ka deklaruar se ata e kanë shqyrtuar ligjin që është për këtë institucion, raportimin vjetor të këtij bordi si dhe performancën që ata kanë treguar, ku pas këtyre kanë dalë me rekomandimin për shkarkim.
Pas kësaj, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj deklaroi se shkarkimi i bordeve po bëhet në mënyrë puro politike dhe të pabazuara në argumente.
“Shkoni në paushallë dhe i bëni të gjithë të këqij e joprofesionist ,e kjo që po bëni ju s’ka ndodhur asnjëherë përpos në sistemin komunist.Ajo që mund të them është se nuk qëndron asnjë argument që e dëgjuam nga deputetja e nderume. Sepse thuhet se janë 214 të kyçur ilegalisht nuk qëndron, të thuhet se nuk ka sinjalizim në hekurudhat e Kosovës nuk qëndron”, tha Lekaj, shkruan lajmi.net.
Tutje deputeti Lekaj tha se qeverisjes së tanishme asnjëherë s’po u kujtohet se jeta vazhdon edhe pa Qeverinë Kurti.
“Më mirë thuni se me ne fillon qeverisja e Kosovës dhe me ne do të mbarojë e askush tjetër nuk do të jetë në këtë vend.Asnjëherë s’u shkon ndërmend se jeta vazhdon edhe pa Qeverinë e Kurtit edhe pa të askujt, por ky vend do të ketë qeveri, por jo t’i atakoni njerëzit që kotrum krejt janë të këqij.Edhe sot mendoj se është puro-politike dhe ejani mbyllni dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit pasi për ju nuk ekziston, edhe pse me mund është krijuar”, shtoi ai.























