Montgomery: Djukanoviqin e ruante CIA, ndërhynë italianët e u bë me rusë
Sipas pretendimeve të tij, detyra kryesore e CIA-s, e vendosur në qytetin kroat Cavtat, ishte ta shpëtonte presidentin e atëhershëm dhe aktual të Malit të Zi, Milo Djukanoviq, nëse presidenti i atëhershëm i Jugosllavisë, Slobodan Milosheviq do ta sulmonte atë.
William Montgomery, ish-ambasador i SHBA-ve në Serbi, Mal të Zi, Kroaci dhe Bullgari, tha se Amerika kishte një anije me një ekip të CIA-s në Cavtat të Kroacisë.
Në një intervistë për Vecernji të Zagrebit, siç raportohet nga Vijesti i Podgoricës, Montgomery gjithashtu tha se ishte e vështirë për të mbledhur fonde për ta financuar qeverinë e Djukanoviqit, kështu që ai tha se ata filluan t’i lejonin kontrabanduesit e duhanit të veprojnë nga Mali i Zi.
Kur u pyet se çfarë mendon për rolin e Djukanoviqit në historinë e shpërbërjes së Jugosllavisë, Montgomery tha se “Djukanoviq është politikani më i aftë, më i shkathët në rajon”.
Ai gjithashtu tha se të gjithë e dinin se çfarë po ndodhte, por megjithatë, ata e lejuan, sepse i sillnin paret që Djukanovic-it i duheshin kundër Miloseviq-it.
“Por kur luftat mbaruan dhe Milosheviqi ra, ndodhi diçka si skena nga ‘Casablanca’. Italianët thanë: mirë, këtu ndodh kontrabanda. Ne duhet ta hetojmë atë. Dhe kështu ata filluan një hetim të madh, i cili përfshinte Djukanoviqin. Ai sheh italianët që e ndjekin, britanikët fillojnë të marrin më seriozisht krimin e organizuar, etj. Dhe pastaj ai kthehet përsëri, këtë herë te rusët, dhe dërgon këshilltarin e tij më të afërt të ambasadorit në Rusi me synimin për t’i tërhequr rusët që të vijnë dhe investojnë. Dhe pastaj ata shohin një hapje tjetër, largohen nga Rusia dhe bashkohen me NATO-n”, tha ish-ambasadori amerikan.

Një gazetar nga Večernji list pastaj thotë: “Rusët po përpiqeshin ta kryenin një grusht shteti në atë moment, gjë e cila është çështje serioze”.
“Po, edhe ai mbijeton. Ai vazhdimisht po bën hapa të mëdha në të gjitha drejtimet, dhe kjo është e mahnitshme, dhe kjo është arsyeja pse unë them se ai është politikani më i shkathët, më i suksesshëm në rajon”, tha Montgomery, përcjell B92.























