Ministri kroat: Ata që ishin në rrezik për jetë janë ende të qëndrueshëm
Ministri i Shëndetësisë në Kroaci, Vili Berosh tha se numri i të vdekurve është 10 deri në orën 17:00. Ai theksoi se ata të cilët ishin nën kujdes intensiv janë ende në gjendje të qëndrueshme
“Pacientët që ishin në rrezik për jetën në njësinë e kujdesit intensiv janë ende të qëndrueshëm. Gjendja e tyre shëndetësore nuk u përkeqësua”, tha Berosh, raporton HRT.
Një person i lënduar iu nënshtrua një operacioni pasi pësoi një lëndim të rëndë trupor, por jo kërcënues për jetën. Sipas Berosh, bëhet fjalë për një frakturë të parakrahut.
“Dy të shtruar në spital në Nova Gradiska u liruan”, tha Berosh.
“Një person është pa lëndime, ndërsa tjetri u transferua në Klinikën për Traumatologji në Zagreb dhe nuk ka nevojë për operacion, është një dëmtim i shtyllës kurrizore”, tha ministri kroat.
Berosh tha se ndihma e ambasadorëve dhe përkthyesve nga Kosova që i ndihmuan ata të kontaktonin me të lënduarit, ishte shumë e rëndësishme.
Policia kroate ka lëshuar një deklaratë duke detajuar rrethanat e aksidentit tragjik me autobus në autostradën afër qytetit Slavonski Brod.























