Smajl Latifi ngushëllon familjarët e viktimave nga aksidenti në Kroaci
BKT
Lajme

Smajl Latifi ngushëllon familjarët e viktimave nga aksidenti në Kroaci

Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave nga aksidenti në Slavonski Brod të Kroacisë.

Ai në një postim në Facebook ka bërë të ditur se pas marrjes së këtij lajmi tronditës ka udhëtuar drejt Kroacisë, në shenjë solidarizimi me familjarët e bashkatdhetarëve tanë në këto momente të rënda.

“Kjo dhimbje duhet të na forcojë kujtimin për ata që humbën jetën, dhe për idealet e tyre dhe perspektivën për një jetë më të mirë! Shërim të shpejtë të lënduarve”, ka shkruar Latifi në Facebook.

Dhjetë persona kanë humbur jetën dhe mbi 40 të tjerë janë lënduar kur një autobus me udhëtarë nga Gjermania që po vinte drejt Kosovës, ka dalë në orët hershme të mëngjesit nga rruga në afërsi të Slavonski Brodit dhe është përmbysur.

Postimi i plotë:

Me të marrë lajmin tronditës, për humbjen e jetëve të dy bashkëqytetarëve tanë nga aksidenti i sotëm, kam marrë rrugën për në Kroaci, që të solidarizohem me familjarët e bashkëatdhetarët tanë në këto momente të rënda.

Kujtim Kastrati nga Malësia e Vogël dhe Anjeza Bellanica nga Krusha e Madhe, janë dy viktimat e konfirmuara nga komuna e Rahovecit, për të cilët lumturia e ardhjes në atdhe u kthye në një hidhërim për gjithë të afërmit, të njohurit, dhe të gjithë ne.

Familjeve Kastrati dhe Bellanica u shpreh ngushëllime të sinqerta dhe solidaritetin tim më të thellë, i lutem Zotit të gjejnë forcë për të përballuar dhimbjen e kësaj humbjeje të tmerrshme për ndarjen nga jeta të fëmijëve të tyre të dashur dhe uroj që shpirti i viktimave të gjejë paqen e merituar!

Po ashtu, më lejoni të ju njoftoj se gjatë tërë ditës kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli, dhe Kolonel, Atashe Ushtarak i Mbrojtjes në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Kroaci, Skënder Hoxha, të cilët i falënderoj për kujdesin dhe interesimin e tyre!

Kjo dhimbje duhet të na forcojë kujtimin për ata që humbën jetën, dhe për idealet e tyre dhe perspektivën për një jetë më të mirë!

Shërim të shpejtë të lënduarve!

Kujtimi dhe Anjeza, pushofshin në paqe!

Ngushëllime të gjithë familjarëve të viktimave për humbjen e më të dashurve të tyre!


MË SHUME NGA Lajme