Varianti Delta pritet të bëhet dominues gjatë muajve të ardhshëm
BKT
Lajme

Varianti Delta pritet të bëhet dominues gjatë muajve të ardhshëm

Ariana Kasapolli, Radio Kosova

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar këtë javë se varianti Delta pritet të bëhet dominues gjatë muajve të ardhshëm. Delta e zbuluar për herë të parë në Indi - është regjistruar tashmë në 124 territore, 13 më shumë se javën e kaluar, tha OBSH-ja në raportin javor epidemiologjik

Edhe Kosova nuk përjashtohet nga përhapja e variantit Delta.

Epidemiologu Lul Raka duke folur për Radio Kosovën tha se përhapja e variantit Delta është një prej kërcënimeve kryesore aktualisht.

Por ai shtoi se është me rëndësi se vaksinimi të mbron dhe ka efikasitet edhe te varianti Delta, dhe nga ky variant preken kryesisht njerëzit e pa vaksinuar.

‘’Varianti Delta jo vetëm në Kosovë por në nivel global po përbën shqetësim. Andaj gjendja aktuale mund të ndryshojë dhe mund të ketë rritje të rasteve të reja të shkaktuara nga lehtësia e përhapjes së variantit Delta. Por për në SHBA, nga të gjitha vdekjet e raportuara në dy muajt e fundit, 99.5 për qind kanë qenë persona të pa vaksinuar, dhe kjo e shton rëndësinë e vaksinimit të plotë’’, tha Raka.

Epidemiologu Raka shtoi se edhe nëse do të ketë rritje të numrit të të infektuarve me variantin Delta, kjo rritje do të ishte e menaxhueshme, sepse nuk do të përcillet me rritje të hospitalizimeve dhe vdekjeve, nëse numri i të vaksinuarve do të rritet. 

‘’Tash e kemi në dorë armën për ta parandaluar këtë të keqe, pra është vaksinimi’’, tha ai.

Ndërkohë Ilir Tolaj ka thënë se varianti Delta nuk dallon shumë nga variantet e mëhershme të infeksionit SarsCov2. Por ai shtoi se mundësia e rritjes së numrit të të infektuarve ekziston në valën e ardhshme, për shkak se ky variant po përhapet me shpejtësi më të madhe. Ai shtoi se numri i të vaksinuarve është i vogël, dhe duhet vaksinim masiv në mënyrë që të parandalohet kjo e keqe. 

’Veçoria e këtij varianti është se po përhapet më shpejt. Për sa i përket Kosovës, mund të kemi numër të shtuar nga ky variant, por jam i bindur që në Kosovë një numër i madh i njerëzve e kanë kaluar infeksionin dhe kemi krijuar njëfarë imuniteti kolektiv, andaj nuk besoj se do të kemi bllokim të spitaleve siç ka ndodhur më herët. Por vaksinimi duhet të jetë në numër më të madh, dhe aktualisht nuk mund të quhet vaksinim masiv tash për tash’’, tha ai

 Sidoqoftë sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”, koronavirusi ka infektuar deri më tash mbi 192 milionë njerëz. Prej tyre, mbi 4.1 milionë kanë vdekur.

 


MË SHUME NGA Lajme