Bujqit kërkojnë sigurime dhe funksionalizim të sistemit kundër breshërit
BKT
Lajme

Bujqit kërkojnë sigurime dhe funksionalizim të sistemit kundër breshërit

Bujq nga e gjithë Kosova, edhe këtë vit po përballen me dëme të mëdha si pasojë e reshjeve të breshrit dhe vërshimeve nga shiu. Ata shpresojnë në kompensimin e dëmeve të shkaktuara. Pritje të tillë kanë edhe në Federatën e Bujqve të Kosovës. Drejtues të saj thonë se për parandalimin e dëmeve duhet të funksionalizohet sistemi kundër breshrit dhe të bëhet pastrimi i shtretërve të lumenjve.

Rrebeshi i shiut dhe breshrit që ditë më parë goditi rajonin e Drenicës, ia bëri rrafsh me tokë sipërfaqet e mbjella me spec Astrit Sylanit nga Llausha e Skenderajt. Si edhe shumë bujqve të tjerë, dëmet që pësoi ai, janë të mëdha.

“Sipërfaqe jashtë i kam 15 ari. Dëmi është rreth 4 mijë euro nëse ishin shitë specat me çmim minimal. Në serë, fidanët nuk janë dëmtuar, por është dëmtuar llastiku. Veç llastik dëmi është mbi 3 mijë euro. Tash, pas breshrit, për sivjet, s’ka më kurrgjë në të”, tha ai për Radio Kosovën.  

Sylani, teksa tregon se Komuna e Skenderajt ka bërë vlerësim e dëmit, thotë se shpreson në mbështetje financiare nga shteti.

Kompensim të dëmit për bujqit e dëmtuar kërkon edhe Tahir Tahiri, kryetar i Federatës së Bujqve të Kosovës. Tahiri, duke u ankuar për punën e qeverive të deritanishme,  jep disa ide për mbrojtjen e të mbjellave nga breshëri dhe vërshimet.

Kemi paraparë me i ripërtëri sistemet raketore për mbrojtje nga breshëri. Ato kanë qenë më herët. Në vitet e 70-ta dhe 80-ta kanë funksionuar mirë dhe kanë rezultuar të suksesshme në Kosovë. Kurse te vërshimet, në 10 vitet e fundit kemi degradim të hatashëm të koritave të lumenjve, të cilat duan mbikëqyrje. Qeveritë e pasluftës, deri tash, nuk kanë bërë asgjë në këtë drejtim”, tha ai.  

Sindikalisti Tahiri, tutje pohon se për zhvillimin e bujqësisë është mese i nevojshëm edhe fillimi i sigurimeve për të gjitha kulturat bujqësore.E, përderisa të gjendet një zgjidhje afatgjate, zgjidhja e vetme për t’i dalë në ndihmë bujqve të dëmtuar nga reshjet e shiut dhe breshrit, apo edhe fatkeqësitë të tjera natyrore, është kompensimi i dëmeve.Ndërkohë, në mbledhjen e datës 14 korrik, Qeveria ka ndarë 1.3 milion euro për mbulimin e 30 për qind të dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore në nivel vendi, në periudhën kohore korrik-dhjetor 2020./RTK

(Pajtim Çuni)


MË SHUME NGA Lajme