Briken Calja humb për vetëm 1 kg medaljen e bronztë
Sport

Briken Calja humb për vetëm 1 kg medaljen e bronztë

Briken Calja e humb për vetëm një kg medaljen e bronztë në “Tokio 2020”. Peshëngritësi nga Shtërmeni iu afrua ëndrrës për t’i dhuruar një medalje olimpike Shqipërisë në këtë olimpiadë, por në fund u rendit në vendin e katërt.

Pa rivalë kinezi Shi Zhiyong, që theu rekordin olimpik dhe atë botëror duke ngritur në total 364 kg, transmeton Super Sport..

Briken Calja e mbylli në vendin e shtatë garën në stilin e shkëputjes në “Tokio 2020”, duke mos arritur rezultatin që pretendonte. Peshëngritësi kuqezi mundi të ngrinte 151 kg në provën e dytë, pasi dështoi të kishte sukses në të parën, ndërsa në provën e tretë e pati të pamundur ta çonte mbi sup shtangën, me peshë 155 kg.

Në këtë stil, për kategorinë deri 73 kg, spikati kinezi Shi Zhyiong, i cili ishte i saktë në të tria provat, duke ngritur në të fundit 166 kg e thyer rekordin olimpik.

Në stilin e shtytjes Calja pati sukses në provën e parë me 184 kg, dështoi në të dytën me 188, por bëri mrekullinë në provën e fundit me 190 kg. Në dygarësh, Calja ngriti në total 341 kg dhe vetëm për një kg, mbeti jashtë zonës podiumit, pasi indoneziani Juniansyah Rizki, që garontë në baterinë B, ngriti në dygarësh 342 kg. Për medaljen e artë nuk pati konkurrencë, pasi kinezi Shi Zhiyong ngriti 198 kg në shtytje, duke thyer rekordin olimpik, ndërsa në dygarësh me 364 kg, theu rekordin olimpik dhe botëror. .

Medaljen e argjendtë në kategorinë deri 73 kg e meritoi Julio Ruben Mayora Pernia me 346 kg në total.


MË SHUME NGA Sport