Leverkusen del fitues nga Dortmund
BKT
Sport

Leverkusen del fitues nga Dortmund

UK/RTKLive.com

Bayer Leverkusen ka shënuar fitore të madhe në udhëtim ndaj Borussia Dortmundi, duke e mposhtur me rezultat 2:1, në ndeshjen e vlefshme për Bundesligë.

Dortmund e ka nisur më mirë takimin dhe ka kaluar në epërsi në minutën e dhjetë. Felix Nmecha e ka shfrytëzuar një gabim të kundërshtarit në mesfushë dhe me një goditje të saktë ka shënuar për 1:0.

Megjithatë, Leverkusen ka reaguar dhe ka krijuar disa raste të mira për ta barazuar rezultatin. Patrik Schick, Ibrahim Maza dhe Afonso Moreira e kanë rrezikuar portën vendase, por portieri Gregor Kobel ka qenë në nivel të lartë.

Në pjesën e dytë, Dortmund ka pasur mundësi ta dyfishojë epërsinë, por portieri Mark Flekken ka reaguar mirë ndaj goditjes së Serhou Guirassy.

Leverkusen ka vazhduar ta kërkojë golin e barazimit dhe e ka gjetur atë në minutën e gjashtëdhjetë e nëntë. Patrik Schick ka shënuar me kokë pas një harkimi nga këndi të Aleix Garcia, duke realizuar golin e tij të 100-të në Bundesligë.

Përmbysja e plotë ka ardhur pak minuta më vonë. Equi Fernandez ka shënuar me kokë pas një harkimi të Moussa Diabyt, duke i dhënë Leverkusen epërsinë 2:1.

Në minutat e fundit, të dyja skuadrat kanë pasur mundësi për të shënuar. Leverkusen mund ta kishte thelluar epërsinë, ndërsa Flekken e ka shpëtuar skuadrën mysafire nga barazimi pas një rasti të Carney Chukwuemekas.

Kjo ka qenë humbja e parë e Dortmund në kampionat këtë edicion. Megjithatë, skuadra vazhdon të kryesojë tabelën, ndërsa Leverkuseni tani është vetëm dy pikë prapa saj.

Për Leverkusen kjo ka qenë fitorja e katërt radhazi në udhëtim ndaj Dortmund.