Kabayel synon titujt e tjerë botërorë: Dua luftërat më të mëdha të mundshme
UK/RTKLive.com
Boksieri Agit Kabayel e ka bërë të qartë se pas mbrojtjes së titullit të kampionit botëror synon fitimin e titujve të tjerë botërorë.
Kabayel e ka fituar përballjen kundër Nelson Hysës me nokaut teknik në raundin e dytë, duke mbrojtur kështu titullin botëror WBC në peshën e rëndë.
Pas ndeshjes ai e ka shprehur krenarinë për mbrojtjen e titullit, duke theksuar se suksesi i tij ka një domethënie të veçantë për Gjermaninë dhe Kurdistanin.
Përmes një postimi në Facebook, Kabayel ka treguar se rrugëtimi i tij në boks ka qenë i gjatë dhe se në fillim shumë njerëz nuk besonin se ai mund të bëhej kampion i Gjermanisë.
"Kur fillova boksin, shumë njerëz as që besonin se mund të bëhesha kampion i Gjermanisë. Tani e kam mbrojtur titullin botëror para më shumë se 50 mijë njerëzve dhe kam shkruar histori për Gjermaninë dhe Kurdistanin. Është e vështirë të shpreh me fjalë se çfarë do të thotë kjo për mua", ka shkruar Kabayel.
Boksieri ka theksuar se për të, përtej suksesit sportiv, rëndësi të veçantë ka edhe aftësia për të bashkuar njerëzit dhe për të promovuar identitetin e popullit kurd.
Ai ka kujtuar edhe prindërit e tij, të cilët kishin ardhur në Gjermani me synimin për t'u ofruar fëmijëve një jetë më të mirë.
"Sot jam krenar që përfaqësoj Kurdistanin në skenën botërore dhe ndihmoj që më shumë njerëz të mësojnë për popullin tonë, historinë dhe identitetin tonë", ka shkruar ai.
Kabayel ka thënë se ndihet po ashtu krenar që po e rikthen Gjermaninë në hartën e boksit dhe se dëshiron të jetë frymëzim për fëmijët që të besojnë në ëndrrat e tyre.
"Tani nuk bëhet më fjalë për pranimin e sfidave. Tani dua luftërat më të mëdha të mundshme dhe dua të luftoj për titujt e tjerë", është shprehur Kabayel.






















