Ministria e Bujqësisë me apel për fermerët: Mos i digjni hamulloret

Ministria e Bujqësisë me apel për fermerët: Mos i digjni hamulloret

Ministria e Bujqësisë përmes një komunikate për media ka apeluar te të gjithë qytetarët e në veçanti te fermerët që të mos i djegin hamulloret, pasi rrezikohet pasuria e tjerëve, objektet e banimit, objektet ekonomike, si dhe djegia e pyjeve. Ndërkaq Menderes Ibra nga Agjerncia e Pyjeve të Kosovës, thotë për Radio Kosovën se vetëm gjatë këtij gjashtëmujori ka pasur zjarre në 161 hektarë pyje dhe toka pyjore.

Pas  fushatës së korrje-shirjes së grurit,  fermerët praktikojnë t’i djegin hamulloret. Me djegien e hamulloreve, pos që shkaktohet ndotja e ambientit dëmtohet edhe toka e bukës. Prandaj Ministria e Bujqësisë ka bërë apel tek fermerët që mos ta bëjnë një gjë të tillë duke dhënë disa praktika se si të veprohet pas korrjes së grurit.

Pas korrjes së grurit në parcelat ku s’ka ujitje, bëni përkufizimin e parcelës duke bërë lëvrimin 2-4 rende në mënyrë që nëse paraqitet zjarri mos të depërtoj edhe në parcelat tjera;

Në parcelat ku nuk ka ujitje pas korrjes së grurit, bëni lëvrimin e cekët dhe në këtë mënyrë kashta e mbetur do të futet në tokë që të kompozohet, duke ndikuar kështu në përmirësimin e strukturës dhe pjellshmërinë e tokës:,

 Djegia e kashtës do të jetë potencial i zjarreve që do të rrezikoj pasurinë e tjerëve, objektet e banimit, objektet ekonomike, si dhe djegien e pyjeve. Menderes Ibra nga Agjencia e Pyjeve të Kosovës thotë se gjatë djegies së hamulloreve digjet edhe mikro flora dhe fauna. Ndërkaq dyoksidi i karbonit i cili del si pasojë e zjarrit ndotë ambientin.

Në momentin që digjen hamulloret shkatërrohet mikro flora dhe të gjitha organizmat që janë në tokë e që përdoren nga bimët në të gjitha proceset agrokimike. Edhe tajimi i dyoksidit të karbonit  është edhe shkaktarë i ndryshimit klimatik qe po e vërejmë tani edhe tek ne", tha Ibra.

Menderes Ibra sqaroj se prej pakujdesisë nga djegia e hamulloreve vetëm në këtë gjashtëmujorë ka pasur  zjarre në 161 hektarë pyje dhe tokë pyjore. Sipas tij kjo dëmton edhe habitatin e kafshëve.

Ne për çdo vit kemi përfshirje të mëdha të zjarreve që shkaktohen nga djegia e hamulloreve vetëm në këtë gjashtëmujor kemi 161 hektarë të përfshirë nga zjarri në vitin e kaluar kemi pasur 2 mijë hektarë”tha ai.

Ibra thotë se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural duhet që me inspektorë të dal në terren dhe të shikoj gjendjen e nëse ka nevojë fermerët edhe të gjobitën. Ai tha se edhe mungesa e një helikopteri për shuarjen e zjarreve është sfidë për zjarrfikësit të cilët kanë problem me qasjen në zjarret e larta.

Ndërkaq Latif Zeka nga Brigada e Zjarrfikësve të Prishtinës thotë për Radio Kosovën e çdo vit ballafaqohen me të njëjtin problem pra me djegien e hamulloreve, që sipas tij vetëm gjatë këtyre shtatë muajve  Zjarrfikësit kanë pas mbi 900 intervenime duke përfshirë edhe hamulloret.

 Edhe Ministria e Punëve të Brendshme u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm dhe vigjilent për shmangien e të gjithë shkaktarëve të mundshëm të zjarrit, lajmërimin me kohë, si dhe të ndihmojmë në shuarjen e zjarrit në fazën e parë të shfaqjes, kudo që ai mund të paraqitet. Qytetarët mund të lajmërojnë rrezikun nga zjarret duke thirrur Qendrën Operative Emergjente përmes numrit të telefonit pa pagesë 112 ose njësinë më të afërt Profesionale të Zjarrfikësve në numrin 193, policinë e Kosovës 192 dhe ndihmën e shpejtë, në numrin 194.

(Mejreme Tahirukaj)


MË SHUME NGA Aktuale