Banorët e një ndërtese të vjetër në Vushtrri nuk po ndihen të sigurt
Jo shumë larg Mitrovicës, në Vushtrri, banorët e një ndërtese të vjetër në rrugën nuk po ndihen të sigurt.
Muri ka filluar të shembet, gjithashtu tavani në hyrje të ndërtesës është hapur i tëri.
Shumë banorë të kësaj ndërtese të vjetër pesëdhjetëvjeçare në rrugën "Dëshmorët e Kombit" në Vushtrri, nuk po ndihen të sigurt.
Njëri nga ta thotë se për shkak të kësaj gjendjeje nuk po jeton në banesën e tij, ndërsa shton se familjeve tjera po i rrezikohet jeta.
“Jo vetëm personat e moshuar por të gjithë banorët që janë këtu ka edhe fëmijë, është në rrezik jeta e tyre se nuk dihet sa ka jetëgjatësi ky objekt", thotë Arben Tahiraj.
Për këtë, është drejtuar edhe ankesë në Komunën e Vushtrrisë që të intervenohet në rikonstruktim ose në rrënim të objektit.
“Komuna duhet me reagu apo eventualisht mu rrënu i tëri me u ndërtu një objekt i ri”, thotë ai.
Kryetari i komunës, Xhafer Tahiri, i ka thënë RTK-së se nuk kanë buxhet për të bërë ristrehimin e familjeve të këtij objekti.
“Janë disa ndërtesa të tilla në Vushtrri. Deri tani ligji është i paqartë si te veprohet në këso raste ku prona mbi tokën është e Komunës, ndërsa banorët kanë pronësi mbi banesat e tyre. Ristrehimi i këtyre familjeve është i pamundur për buxhetin e Komunës”, thotë Tahiri.
Kreu i Vushtrrisë tha se po presin që Ministria e Pushtetit Lokal t'i aprovojë aktet nënligjore të ligjit për dhënie në shfrytëzim të pronës komunale në mënyrë që përmes këtij ligji të trajtohen këto ndërtesa në Vushtrri.























