Virusi Delta në Kosovë: Të hënën nisen 30 mostra për testim në Gjermani
BKT
Lajme

Virusi Delta në Kosovë: Të hënën nisen 30 mostra për testim në Gjermani

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik pritet që të hënën të nisë 30 mostra për testim për në Laboratorin e Institutin e Virologjisë në Qendrën Klinike Universitare në Berlin të Gjermanisë.

Këtë e ka konfirmuar për Klan Kosova, Drejtori i Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare, Xhevat Jakupi.

Ai ka thënë se këto mostra do të dërgohen për t’u testuar nëse i përkasin variantit Delta të COVID-19.

“Shpresojmë që për një-dy javë të kemi në dispozicion rezultatet e sekuencionimit te tyre”, është shprehur ai

Por si manifestohet ky variant?

Varianti Delta vlerësohet se është afërsisht 60% më i transmetueshëm se varianti Alpha, ose Kent. Ndërsa, edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka klasifikuar këtë variant se variant shqetësues i cili mund të përhapet më lehtë.

Nga Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëruan se varianti Delta është “gati të kapë” të gjithë Europën, pasi dhjetëra vende kanë hequr kufizimet.

Mediat e huaja raportojnë se njerëzit e infektuar nga varianti Delta kanë dy herë më shumë gjasa të përfundojnë në spital se sa ata të infektuar me variantin Alpha. Ndërsa, ashtu si versioni origjinal i këtij virusi, edhe varianti Delta është më i rrezikshëm për të moshuarit e personat që kanë probleme tjera shëndetësore.

Ndërsa, simptomat e infektimit me këtë variant janë të njëjta si ato të varianteve tjera: Ethe, kollitje, gulçim, lodhje, diarre, dhimbje koke e trupi.


MË SHUME NGA Lajme