Shala: Ligji për mbeturina nga industritë e mineraleve, i rëndësishëm
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala sot në seancën e Kuvendit të Kosovës ka thënë se shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L027, për mbeturinat nga industritë nxjerrëse të mineraleve është i rëndësisë së veçantë. Ai ka kërkuar nga deputetët që këto problematika të trajtohen me seriozitet.
Përveç rëndësisë që ka, Shala konsideron që sponzorizuesi, gjegjësisht ministria në këtë rast duhet të ketë parasysh edhe faktorët tjerë historik që rrjedhin nga kjo lëmi.
“Puna e parë që duhet të merret në trajtesë është ndarja e dy kapitujve bazik që ligji duhet t’i trajtojë, e që nuk kanë as të kaluar të njëjtë, as trajtim të njëjtë dhe nuk besoj që do të mund të trajtohen krejt njëtrajtshëm për faktin që një pjesë e madhe e mbeturinave dhe mineraleve nxjerrëse janë historike dhe në këtë rast kemi me dhjetëra milionë tonë anekënd Kosovës në pozita gjeografike të ndryshme dhe me përmbajtje mineralogjike të ndryshme. Në këtë relacion rekomandojmë që t’a trajtojmë saktësisht dhe me kompetencë në mënyrë që të mos i kthehemi dhe ligji të jetë i zbatueshëm” , ka thënë ai.
Sipas tij, për këtë kategori do të duhej lënë një hapësirë ligjore që edhe këto ndarje të bëhen sipas mundësisë së valorizimit të tyre sepse një pjesë e tyre janë të pavalorizueshme dhe me problematika mjedisore .
“Duhet të kemi së pari një parastudim që t’i klasifikojmë se cilat janë të valorizushme, të riciklushme, të trajtueshme dhe cilat janë në nëngrupin e këtyre mineraleve që duhet trajtim direkt mjedisor qoftë varrosje sipas standardeve dhe kritereve mjedisore, apo mbulim, rehabilitim, izolim nga uji”, vlerësoi ai.
Shala tha se e mbështesin këtë ligj dhe se do t’a japin kontributin e tyre në bashkëpunim me institucionet dhe bizneset.
Fjalimi i plotë i deputetit Shala:























