Ndërroi jetë prof.dr.Agron Pustina
Sot ka ndërruar jetë prof.dr.Agron Pustina. Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë familja e tij përmes një njoftimi për media.
Njoftimi nga familja Pustina
PROF.DR.AGRON PUSTINA
(1944-2021)
Të dashur familjar dhe miq,
Me dhimbje të thellë ju njoftojmë se sot më i dashuri ynë Agron Pustina, u nda nga jeta.
Varrimi i të ndjerit bëhet sot në varrezat e qytetit në Dragodan, në ora 16:00 sipas rregullave të IKSHPK-së.
Me nderime,
Familja PUSTINA
Biografia e Prof. Dr. Agron Pustina
I lindur më 15 Tetor 1944 në Tiranë, Shqipëri. Arsimin fillor dhe të mesëm i kreu në Shkup, Maqedoni. Në vitin 1967, diplomoi në Qendrën Klinike të Universitetit “St. Cyril and Methodius”, në Shkup.
Fillimisht u punësua në Spitalin Saint Pierre në Bruksel. Në vitin 1971 filloi punën në Klinikën Ortopedike, pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Gjatë kësaj periudhe, vazhdoi edukimin specialistik në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup dhe në vitin 1975 fitoi titullin specialist i Ortopedisë dhe Traumatologjisë. Në vitin 1975 magjistroi në Fakultetin e Mjekësisë në Zagreb me temën: ”The contribution of the Ligamentum Terres to the Bloodsupply in the head of the Femur in Children with Congenital Dislocation”. Në vitin 1979, në po këtë universitet mbrojti tezën e doktoraturës: “Dynamics of Vascular Change in the Upper Femur in Children ëith Congenital Dislocation of the Hip”.
Në vitin 1994, në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës filloi karrierën akademike si asistent, pastaj docent, profesor inordinar dhe u zgjodh profesor ordinar i lëndës së Kirurgjisë dhe Ortopedisë.
Në fillim të viteve të 90-ta, për shkak të politikës diskriminuese të sistemit represiv serb, sikurse edhe shumë kolegë të tij shqiptarë, u përjashtua nga puna me dhunë dhe vazhdoi së ushtruari punën e tij profesionale në poliklinikën private “Acta Orthopaedica”, ku edhe sot punon. Gjatë periudhës 1990-1999 vazhdoi mësimdhënien në kushte të jashtëzakonshme, në cilësinë e profesorit në lëndën e Ortopedisë dhe Traumatologjisë, në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës.
Ishte drejtor i Klinikës Ortopedike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe një ndër themeluesit e Shoqatës së Ortopedëve të Kosovës. Ishte drejtues i Bordit Për Edukim Të Vazhdueshëm Mjekësor në Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës. Mentoroi dhe koomentoroi tema të magjistraturës dhe doktoraturës në fushën e studimeve postdiplomike të mjekësisë, mentoroi një numër të madh të kandidatëve në edukimin profesional specialistik në Klinikën e Ortopedisë dhe Traumatologjisë, mori pjesë në kongrese e simpoziume ndërkombëtare dhe publikoi një sërë punimesh shkencore.























