Shtatzënat dhe ata me sëmundje të rënda të lirohen nga mësimi
BKT
Lajme

Shtatzënat dhe ata me sëmundje të rënda të lirohen nga mësimi

Ardiana Hajzeri, Radio Kosova

Sindikata e Arsimit, ka kërkuar nga Ministria e Arsimit dhe drejtoritë komunale  që gratë shtatzëna që punojnë në arsim dhe të tjerët që kanë sëmundje të rënda, të lirohen nga paraqitja fizike në procesin mësimor.  Drejtues të sindikatës kanë bërë të ditur se për zëvendësimin e këtyre  mësimdhënësve të shikohet mundësia e angazhimit të studentëve të sapodiplomuar të Fakultetit të Edukimit. 

 

Pas përkeqësimit të situatës me pandeminë, Sindikata e Arsimit ka drejtuar kërkesë institucioneve përgjegjëse që mësimdhënëset shtatzëna  dhe ata që kanë sëmundje të rënda, të lirohen nga paraqitja fizike në punë.

Kryetari i Sindikatës se Arsimit, Rrahman Jasharaj, në një prononcim për Radio Kosovën theksoi se nuk ka kushte të favorshme që kjo kategori e mësimdhënëseve të punojnë nga shtëpia, andaj duhet të lirohen nga procesi mësimor.

 

“ Ne kemi kërkuar që mësimdhënëset shtatzëna dhe ata me sëmundje të rënda të lirohen krejtësisht nga procesi mësimor, për arsye se nuk ka kushte të mjaftueshme për të punuar nga shtëpia.  Zëvendësimin e tyre e kemi menduar ta bëjmë me studentët e sapodiplomuar të Fakultetit të Edukimit, ku pastaj këta studentë të kenë prioritet në punësim.”

E për sa i përket skenarëve të mundshëm për fillimin e vitit të ri shkollor, Jasharaj tha se punëtorët e arsimit janë të gatshëm të fillojnë procesin mësimor për cilin do skenar që marrin vendim institucionet kompetente.

 

“ Në mbledhjen që e ka organizuar Ministria e Arsimit me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe përfaqësuesit e prindërve, ne kemi shprehur gatishmërinë e punëtorëve arsimorë që të fillojë viti i  ri shkollor. Dhe, në momentin kur institucionet arsimore të marrin vendim, ne si sindikatë dhe punëtorët arsimorë jemi gati për cilin do skenar.”

Ndërkohë, Ministria e Arsimit ditë me parë ka bërë të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për fillimin e vitit të shkollor, ku mbi 80 për qind e mësimdhënëseve janë vaksinuar.

 


MË SHUME NGA Lajme