Neziri:Rusia vazhdimisht ka punuar në destabilizimin e Maqedonisë së Veriut
BKT
Lajme

Neziri:Rusia vazhdimisht ka punuar në destabilizimin e Maqedonisë së Veriut

Mediat raportojnë se Shërbimet Sekrete të Greqisë kanë shmangur një atentat ndaj kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Xhelal Neziri, njohës i rrethanave politike dhe të sigurisë në Maqedoninë e Veriut, tha për RTKlive se ka pasur shumë vende që nuk kanë qenë të lumtura me zgjidhjen e çështjes së emrit midis Shkupit dhe Athinës.

Para nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës kishte paralajmërime publike nga ministri i jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, se çdo zgjerim i NATO-s me pranimin e Maqedonisë së Veriut e bën këtë vend cak legjitim të Rusisë.

“Mendoj se përpjekja më e madhe e Rusisë për të pamundësuar Maqedoninë e Veriut të anëtarësohet në NATO ka qenë në rrafshin politik, pasi një projekt i tillë nuk është lidhur vetëm me figurën e Zoran Zaev. Kundër NATO-s nuk ka qenë as VMRO-DPMNE, por fraksione të vogla të saja të instrumentalizuara nga qarqe pro-ruse në Serbi”, thotë Neziri.

Ja deklarata e plotë e Xhelal Nezirit, për RTKlive, lidhur me atë që raportojnë mediat se Shërbimet Sekrete të Greqisë kanë shmangur një atentat ndaj kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev:  

“Nuk ka  informacione për rastin konkret. Në Qeverinë e Maqedonisë e Veriut poashtu nuk janë në dijeni për atë  që  shkruhet në gazetën greke. Kjo është një gazete e vogël e spektrit të djathtë. Në bazë të informacioneve që mora nga kolegë nga Greqia, gazetari që e ka shkruar ka qenë shef i i zyrës së shtypit të presidentit Pavlopoulos, kështu qe ka gjasa të ketë pasur qasje në informacione të tilla. Pra, nuk ka një konfirmim as  në Greqi e as në Maqedoni të Veriut për këtë.

Sidoqoftë, ka pasur shumë vende që nuk kanë qenë të lumtura me zgjidhjen e çështjes së emrit midis Shkupit dhe Athinës. Kapërcimi i këtij problemi nënkuptonte integrimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Pra, ishin vende jashtë NATO-s si organizatë që e shihnin zgjerimin e Aleancës me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut si provokim ndaj Lindjes. Para nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës kishte paralajmërime publike nga ministri i jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, se çdo zgjerim i NATO-s me pranimin e Maqedonisë së Veriut e bën këtë vend cak legjitim të Rusisë. Është deklaratë publike kjo. Rusia në fakt nuk dëshironte as ndryshimin e pushtetit në Shkup, i cili ndodhi në fillim të vitit 2017. E mbani mend se çfarë ndodhi më 27 prill të atij viti, kur ndodhi sulmi ndaj Parlamentit me qëllim që të pamundësohet rotacioni i pushtetit. Në turmën që sulmonte deputetët kishte persona të maskuar e të armatosur. Në mesin e tyre u identifikuan disa agjentë serb, të cilët faktikisht çonin para agjendën ruse. Nga funksionarë të lartë kjo ngjarje u kualifikua si tentim për atentat ndaj Zaevit dhe deputetëve tjerë që kishte për qëllim destabilizimin e vendit dhe pamundësimin që të arrijë Marrëveshje me Greqinë, gjë që do të pamundësonte edhe anëtarësimin në NATO.

Mendoj se përpjekja më e madhe e Rusisë për të pamundësuar Maqedoninë e Veriut të anëtarësohet në NATO ka qenë në rrafshin politik, pasi një projekt i tillë nuk është lidhur vetëm me figurën e Zoran Zaev. Kundër NATO-s nuk ka qenë as VMRO-DPMNE, por fraksione të vogla të saja të instrumentalizuara nga qarqe pro-ruse në Serbi. Kësi qarqe ke edhe në LSDM. Disponimi i përgjithshëm ka qenë pro-NATO-s, fokusi i faktorëve euroatlantikë ishte që të arrihet kompromisi dhe mbi të gjitha në Greqi kishte një kryeministër që dëshironte ta mbyllë këtë çështje. Jo që më herët nuk ka pasur interes për marrëveshje në Shkup, por ky interes ka munguar në Greqi”./ XH.N.

Mediat kanë raportuar se Shërbimet Sekrete të Greqisë kanë shmangur një atentat ndaj kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.  

Vetëm pak muaj pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës nga Aleksis Tsipras dhe Zoran Zaev, Shërbimet Sekrete të Greqisë i kanë shpëtuar jetën kryeministrit të Maqedonisë së Veriut pasi kanë zbuluar një tentativë për ekzekutimin e tij.

Lajmin në fjale e ka bërë me dije gazeta Vradhini e së dielës e cila u referohet burimeve të saj në Ministrinë e Jashtme të lidhura ngushtë me Shërbimin Inteligjent të Greqisë. Sipas këtyre burimeve, pas ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës nga Parlamenti i Shkupit me 69 vota më 20 qershor (Marrëveshja u nënshkrua në 12 qershor në fshatin Psarades të Florinës në Prespë), tensioni politik arriti kulmin në vendin fqinj.

Sipas kësaj medie, kanë qenë vetë agjentët amerikanë që kanë marrë në mbrojtje  kryeministrin e Maqedonisë së  Veriut dhe u kanë dërguar mesazhe ambasadave të huaja dhe VMRO -së që ata ” dinë gjithçka”. Dhe në ato muaj  Zoran Zaev kishte të njëjtën mbrojtje si presidenti amerikan, ndaj dhe siç duket është hequr dorë nga tentativa për vrasje e planifikuar ndaj tij.


MË SHUME NGA Lajme