Akademia e Muzikës Verore Evropiane i mbledh në Mitrovicë kitaristë

Akademia e Muzikës Verore Evropiane i mbledh në Mitrovicë kitaristë

Akademia e Muzikës Verore Evropiane i mbledh në Mitrovicë kitaristët e nivelit botëror.

Qyteti i Mitrovicës, për një javë rresht, duke nisur nga kjo e premte do të jetë qendër ku do të mblidhen muzikantë me namë botëror si dhe artistë të rinj të muzikës klasike, shkruan Gazeta Infokus.

Tingujt e kitarës do të dëgjohen në kuadër të Akademisë së Muzikës Verore Evropiane (ESMA), e cila organizohet për herën e dhjetë.

Njëri ndër organizatorët e ESMA-së, Erhan Mujka ka bërë të ditur se sivjet do të vijnë dy profesorë nga shtetet e jashtme dhe do të mbajnë ‘Masterclasses’ me kitaristë të vegjël e të rritur nga Kosova.

Bëhet fjalë për Sanel Redzic nga Bosnja e Hercegovina, që jeton dhe vepron në Gjermani dhe për Danijel Cerović, i cili është nga Mali i Zi, por që jeton dhe vepron jo vetëm në këtë shtet por edhe në Bosnjë. Krahas tyre, do të jetë edhe vetë Erhan Mujka, i cili jeton dhe punon në Kosovë.
Mujka ka deklaruar se pandemia u ka shkaktuar telashe në organizimin e aktiviteteve në mënyrën siç ata kanë dashur.

“Shkaku i pandemisë dhe masave kufizuese nuk kemi arritur ta organizojmë ESMA-n siç e kishim planifikuar, por jam optimist se edhe në kuadër të kufizimeve që i kemi, do të bëjmë një punë shumë të mirë”, ka thënë Mujka për Infokusin.

Qëllimi kryesor i ESMA-s, sipas tij, është përkushtimi ndaj nxënësve dhe studentëve të kitares.

“Aktiviteti kryesor zakonisht është Masterclasses me profesorët e ftuar dhe kjo besoj që ka me qenë synimi i arritur”, është shprehur Mujka.
Nëse IKSHPK dhe Ministria e Shëndetësisë rekomandojnë zbutjen e masave për shkak të rënies së numrit të të infektuarve me Covid, Mujka thotë se do të mbahen edhe koncertet, ashtu siç kanë qenë të planifikuara.

“Nëse na lejohet prej IKSHPK-së edhe prej Ministrisë atëhere koncertet mbahen 27, 28 edhe 29 shtator”, ka thënë Mujka.

Në të kundërtën, ai thotë se koncertet do të mbeten objektivë e parealizuar.

Për oganzimin e ESMA-së, Mujka thotë se kanë mbështetjen e Ministrisë së Kulturës , Drejtorisë për Kulturë në Mitrovicë si dhe të sponzorëve lokal: Community Building Mitrovica edhe Taxi Speed.

Krahas Mitrovicës, ESMA do të organizohet edhe në Prishtinë nga data 27 shtator e deri më 2 tetor, ku do të jenë të ftuar pianist, viilonist, flautist e klarinetist të njohur.