Pioli nuk ishte i kënaqur me vendimet e gjyqtarit Cakir
Trajneri i Milanit Stefano Pioli nuk ishte i kënaqur që vendimet kyçe të ndeshjes ishin kundër skuadrës së tij, pas humbjes 2:1 në Ligën e Kampionëve kundër Atletico Madridit.
Gjatë 20 minutave të parë në “San Siro”, skuadra e Milanit kishte epërsinë e merituar përmes golit të Rafael Leao, para se mesfushori Franck Kessie të ndëshkohej me kartonin e dytë të verdhë, dhe të largohej nga loja, përcjell KosovaPress.
Nikoqirët arritën që deri në minutën e 84’ të ndeshjes të mbahen në mënyrë të mirë, ku më pas sulmuesi Antoine Griezmann shënoi golin e barazimit për Atletico Madridin.
Më pas, gjatë kohës shtesë, gjyqtari i ndeshjes Cuneyt Cakir akordoi penallti në favor të kampionit të La Ligas, të cilën e konkretizoi me gol sulmuesi Luiz Suarez në minutën e 90+7’ shtesë.
“Më shumë se nervozizëm, jemi tejet të dëshpëruar. Ishim shumë afër një rezultati të rëndësishëm. Në 11 lojtarë kundër 11, ne luajtëm më mirë. Është jo gjë e mirë pasi që duhet të ishim më të vëmendshëm tek goli i parë. Lojtarët e mi bënë një paraqitje tejet të mirë në një ndeshje të rëndësishme, ku humbja na e komplikoi kualifikimin për ne”, tha Pioli.
“Franck veçse ishte i ndëshkuar me karton të verdhë. Nuk dukej se kishte nevojë për një ndëshkim me kartonin e dytë të verdhë në minutën e 30 të ndeshjes. Gjyqtari nuk ishte ndër më të mirët në fushë”, shtoi trajneri i “Rossonerëve”.
Me humbjen e mbrëmshme, Milani tani pozicionohet në vendin e fundit në Grupin B me asnjë pikë të arkëtuar, kurse skuadra e Atletico Madridit zë vendin e dytë me gjithsej katër pikë, dy më pak se lideri i tabelës Liverpooli.























