Nuhiu i zhgënjyer me barazimin në Lipjan
Pauza dy javëshe në BKT Superligë për shkak të ndeshjeve të kombëtares duket se nuk ka qenë e frytshme për Dritën.
Skuadra nënkampione në fuqi nuk ka arritur të marrë më shumë se një pikë në udhëtim në Lipjan në duel me skuadrën e pjesës së fundit të renditjes, Ulpianën, duke e mbyllur ndeshjen 1:1. Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, u shpreh tejet i zhgënjyer me rezultatin, pasi skuadra e tij nuk di për fitore në katër ndeshjet e fundit. “Realisht, nuk di çka të them. Kemi ca ndeshje që nga një goditje po ndëshkohem. Gjatë tërë ndeshjes dominuam, ishim kërkues por edhe nuk patëm raste për ta përfunduar ndeshjen. Përballë kishim një ekip të disiplinuar dhe të vendosur mirë në fushë. Unë dua që t’i kthehemi fitoreve, por kjo nuk po ndodhë”, ka thënë Nuhiu. “Pa diskutim se do të gjejmë mënyrën për t’u kthyer te fitoret pasi i njohim tashmë të gjitha ekipet. Nuk do të ketë ndeshje të lehta, por do të vazhdojmë. Ky grup ka cilësi dhe thjeshtë vetëm na duhet një fitore për të dalë nga këto rezultate në katër ndeshjet e fundit. Do të luftojmë deri në fund të edicionit për titullin e kampionit dhe pse jo mos ta fitojmë”, shtoi ai.























