Probleme për Chelsean, lëndohen dy sulmuesit kryesorë
Sharr Travel

Probleme për Chelsean, lëndohen dy sulmuesit kryesorë

Kampioni evropian Chelsea mbrëmë regjistroi fitore me rezultat 4:0 kundër skuadrës së Malmos, ndeshje kjo që ishte e vlefshme për xhiron e tretë të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve.

Golat për “Blutë” e Londrës i shënuan Christensen, Havertz dhe Jorginho, ku ky i fundit kontribuoi me dy gola.

Krahas fitores, kishte edhe lajme jo të mira për skuadrën londineze, ku të dy sulmuesit kryesorë Romelu Lukaku dhe Timo Werner u detyruan të largohen nga loja që në pjesën e parë.

Raportohet se Lukaku dhe Werner kanë pësuar lëndime dhe tani nuk do të jenë të gatshëm për ndeshjen e radhës të Chelseat.

“Kemi një lëndim në kyçin e këmbës për Lukakun, dhe një zgjatje e lëndim të muskulit për Timo Werner, kështu që disa ditë nuk do të jenë pjesë e skuadrës”, tha Tuchel për “BT Sport”.

“Normalisht jemi në një gjendje të mirë pa lëndime të tjera, ku vetëm Christian Pulisic mungon, por na mungojnë të gjithë. Ne kemi edhe shumë ndeshje, ndeshje të shumta në të gjitha garat, kështu që tani do të na duhet që ta zgjidhim këtë problem dhe të gjejmë opsione të tjera, jo të ankohemi”, shtoi trajneri i Chelseat.

Ndeshja e radhës për Chelsean do të jetë të shtunën me fillim nga ora 13:30 kundër skuadrës së Norwich, e vlefshme kjo për xhiron e nëntë të Premier Ligës angleze.